​Emërimi i drejtorit të ri të Policisë në dorën e Ramush Haradinajt

17:46 / E premte, 20 Prill 2018

 

Drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, emërohet nga Kryeministri i vendit. Policia, nga e premtja mbeti pa të parin e saj, Shpend Maxhuni, që u emërua shef i ri i AKI’së, nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi. Me këtë të fundit, Maxhuni ka raporte të ngushta, sikurse është i bindur ndaj tij.
Organizimi i brendshëm i Policisë së Kosovës rregullohet me ligj. Ndaj, emrin e ri të drejtorit të përgjithshëm të PK’së e ka në dorë kryeministri Ramush Haradinaj.

Ligji parasheh që Kryeministri emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës me rekomandimin e Qeverisë, shkruan Gazeta Express.

Por, para emërimit janë edhe disa procedura tjera, të cilat i përcakton neni 37 i ligjit për Policinë e Kosovës.

“Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici i propozon Ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ndërkaq Ministri i rekomandon Kryeministrit kandidatët e mundshëm për këtë post. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri, bazuar në propozimet e paraqitura nga Ministri”, thotë paragrafi i parë i nenit 37 të ligjit për PK’në.

Drejtori i Përgjithshëm emërohet për një periudhë tri vjeçare, dhe mund të riemërohet në fund të kësaj periudhe edhe për pesë vjet të tjerë pa procedura konkurruese, thuhet në paragrafin vijues të këtij ligji.

“Një person mund të shërbejë si Drejtor i Përgjithshëm në përgjithësi jo më shumë se tetë vjet”, thotë i njëjti paragraf.

E në paragrafin e tretë specifikohen kualifikimet e kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të policisë:

“Kualifikimet e kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm me, së paku pesë (5) vjet përvojë në punën policore me rritje të vazhdueshme të përgjegjësisë, së paku 3 vjet të shërbimit në menaxhmentin e lartë policor, diplomë nga një universitet i akredituar, dhe diplomim nga akademia trajnuese policore e Republikës së Kosovës apo me përfundim të ndonjë programi trajnues të barasvlershëm tek një institucion tjetër. Kandidati duhet të jetë në gjendje t’i përmbushë kualifikimet minimale për një zyrtar policor. Kandidatët i nënshtrohen një hetimi mbi të kaluarën e tyre, dhe nuk duhet të jenë shpallur fajtorë për ndonjë vepër penale”.

Sipas ligjit, Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës që të udhëheqë, kontrollojë dhe mbikëqyrë Policinë, të bëjë rekomandime buxhetore te Ministri i Brendshëm në emër të Policisë dhe ta menaxhojë dhe shpërndajë buxhetin e Policisë në përputhje me caktimet dhe prioritetet e parapara nga Ministri.

Policia funksionon nën autoritetin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë.

Autoriteti i Ministrit, me ligj, nuk përfshinë menaxhimin operacional të Policisë.

Megjithatë, Drejtori i përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit për administrimin dhe menaxhimin e Policisë. Ai bashkëpunon me Ministrin dhe i ofron informata dhe raporte që ky mund t’i kërkojë me arsye.

Policia e Kosovës prej të premtes mbetet pa drejtor të përgjithshëm. Kjo pasi Shpend Maxhuni nga sot është emëruar shef i AKI’së, pas shkarkimit të Driton Gashit.

Gashi kishte dhënë dorëheqje pasi tre javë më parë i ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj, pas skandalit të deportimit të gjashtë gulenistëve nga Kosova. Sikurse ish-shefi i AKI’së ka vepruar edhe ish-shefi i tash drejtorit të ri të AKI’së Shpend Maxhunit, ish-ministri i Brendshëm Flamur Sefaj.

Deri më sot Drejtor i Policisë së Kosovës, tash Shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni në krye të PK’së ka ardhur në kohen e pushtetit të PDK’së me krye Hashim Thaçin shef të ekzekutivit.

Po me bekimin e Thaçit, ai u emërua në krye të AKI’së

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400