27 shkurti, dita e gjuhës shqipe?!

00:43 / E enjte, 22 Shkurt 2018

 

 

Pas dy javë pauzë, Parlamenti iu kthye dinamikës së punës duke vazhduar seancën e 34-të me radhë për një sërë propozim-ligjesh me procedurë të shkurtuar dhe vendimesh tjera mes të cilëve edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Parlamentit. Frosina Ramenski nga LSDM, Goran Mileski nga PRSD dhe Vesel Memedi nga RDK janë zgjedhur nënkryetarët e rinj të Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa VMRO edhe pse i takon me Rregullore njëri nga nënkryetarët, nuk ka dhënë propozimet e saj për këtë post.

Si zakonisht, në seancë plenare kishte problem më kuorumin ku u desh disa herë kryeparlamentari Talat Xhaferi të bëjë thirrje për hyrje të deputetëve në sallë. Siç pritej, Parlamenti nuk vazhdoi seancën e 32-të më radhe ku në rend dite është edhe Ligji për gjuhët, si dhe disa ligje nga sfera e gjyqësorit. Por në rrugë jozyrtare, burime të sigurta parlamentare gazetës KOHA i kanë thënë se Ligji për gjuhët do të vihet në diskutim në lexim të tretë më 27 shkurt, por mund të ndodh që edhe një ditë përpara – më 26 shkurt të ketë diçka në këtë drejtim. Deri atëherë, sipas këtyre burimeve, në rast se nuk ka ndonjë marrëveshje me VMRO-në për tërheqjen amendamenteve, shumica parlamentare BDI-LSDM ka mundësi të hedh poshtë të njëjtat edhe përkundër vërejtjeve të presidentit Gjorge Ivanov ose të akumulojë diskutimet e 35 mijë amendamenteve në një apo në disa.

Se Ligji për gjuhët është çështje ditësh kur edhe do të miratohet, të martën e theksoi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë takimit me ambasadorin e Holandës në Maqedoni, Vauter Plomp. “Ahmeti dhe ambasadori Plomp diskutuan për zhvillimet politike, kontestin e emrit, Ligjin për gjuhët si dhe për integrimin euroatlantik. Ahmeti elaboroi qëndrimet e BDI-së rreth negociatave për çështjen e emrit me Greqinë, të ndërmjetësuar nga Nimic. BDI inkurajon zgjidhje të shpejtë të këtij problemi të stërzgjatur dhe mbështet plotësisht dialogun e drejtpërdrejt drejt zgjidhjes. Ahmeti përsëriti qëndrimin për Ligjin për gjuhët duke theksuar që miratimi përfundimtar është çështje ditësh dhe që të gjithë duhet të japin kontribut në rrumbullakimin e suksesshëm të pjesës normative të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, thuhet në njoftimin e BDI-së për media. Sipas këtij njoftimi, bashkëbiseduesit gjithashtu shkëmbyen opinione rreth punës së Parlamentit dhe ekzekutivit, me këtë rast, Ahmeti theksoi pritjet e tija më të mëdha në adresim të sfidave të përditshme. Por kundër që Ligji për gjuhët që të miratohet tani është shprehur deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.

Gjatë në konference për shtyp në Parlament, ai hodhi idenë që Ligji për gjuhët të mund të prolongohet për disa muaj, ndërsa partia e tij VMRO ti jep përkrahje në këtë kohë ligjeve prioritare reformuese. “Vetë fakti që votojnë për 19 propozim-ligje në rendin e ditës me procedurë të shkurtuar, flet për diktat dhe për makineri votuese të LSDM-së dhe BDI-së. Në lidhje me Ligjin për gjuhët, ne i kemi të njohura qëndrimet tona se ai Ligj është kundër të gjitha procedurave parlamentare duke shkelur hapur Rregulloren e punës. Nuk mundet shumica të anashkalojë amendamentet tona, sipas Rregullores duhet për çdo amendament të hapet diskutim”, tha Milloshoski. Në pyetjen e gazetarëve nëse ky është bllokim total i punës së Parlamentit për ligjet reformuese, sidomos pjesa me 35 mijë amendamentet, Milloshoski përsëriti se mund të pranojnë të marrin pjesë në seancë plenare për të votuat ato ligjet reformuese në rast se Ligji për gjuhët prolongohet për disa muaj. “Ne nuk jemi për bllokim, por Ligji për gjuhët nuk mund të kalojë ashtë siç kaloi dy herë. Jemi të gatshëm të kthehemi në seancë dhe të përkrahim ligjet reformuese në rast se shumica pranon prolongimin e Ligjit për gjuhët për tre apo më shumë muaj”, tha deputeti i VMRO-së. I njëjti kritikoi BDI-në dhe LSDM-në se duke ndërruar pikën e dytë të rendit të ditës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHZ-së, veprojnë në mënyrë antiligjore duke pamundësuar, siç tha Milloshoski, funksionimin e KSHZ-së për një kohë të gjatë.

Partia më e madhe në pushtet – LSDM, nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të Koalicionit qeveritar edhe me dy partitë opozitare shqiptare, Besën dhe PDSH-në. Megjithatë negociata serioze në këtë drejtim, nga LSDM-ja paralajmërojnë pasi Qeveria të përfundojë punët me prioritet që ka. “Kur bëhet fjalë për interesin shtetëror, të gjitha opsionet janë të hapura, në këtë rast është i hapur opsioni i zgjerimit të Qeverisë. Konkretisht, opsioni i përfshirjes të Besës në pushtetin ekzekutiv është i hapur. Ndërsa nuk e përjashtojmë as mundësinë e përfshirjes të PDSH-së”, bëjnë me dije nga LSDM-ja. Mundësinë e zgjerimit të Qeverisë nuk e konfirmuan, por as e përjashtuan nga BDI-ja. Nga partia e integristëve thanë se momentalisht janë të fokusuar në realizimin e reformave dhe se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Kryetari i sapozgjedhur i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, ka theksuar gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur koalicionit qeveritar dhe paralajmëroi se për këtë do të negociojë me kryeministrin Zoran Zaev.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400