Austria refuzon ta mbulojë Kosovën me Karton të Gjelbër

14:17 / E enjte, 09 Gusht 2018

Kushti i vetëm që ka mbetur për anëtarësim në Këshillin e Byrove për Kartonin e Gjelbër në Bruksel, është hyrja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), edhe pse Kosova ka krijuar bazë ligjore duke krijuar 4 milionë euro fond rezervë.

Për përpjekjet e fundit të Kosovës që të gjendet një alternativë rreth këtij sigurimi, drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Blerim Pushkolli sot tha se kanë marrë një përgjigje nga Austria, e cila ka refuzuar pranimin apo mbulimin e Kosovës me Karton të Gjelbër.

“Të gjitha kushtet janë plotësuar nga Industria dhe Byroja Kosovare e Sigurimit, por ka qenë dhe mbetet kushti kryesor apo si barrierë kryesore mos anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove, është mos anëtarësimi i Kosovës në OKB, e cila përmendet decidivisht në artikullin 42A të Kushtetutës në Këshillin e Byrove në Bruksel. Së fundmi, sa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove, kemi marrë një përgjigje nga Shoqata e anëtarëve në Austri, e cila ka refuzuar pranimin apo mbulimin e Kosovës me këtë sigurim dhe kjo është për arsye se është konsideruar si rrezik për anëtarët e vet”, ka thënë Pushkolli.

Drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimit kanë bërë të ditur se mbetet shqetësuese numri i veturave të pasiguruara në trafik që është në mes 35 deri 50 mijë.
Sipas Pushkollit, automjetet e pasiguruara paraqesin vazhdimisht rreziqe në komunikacion dhe dëmton buxhetin e shtetit.

“Një automjet i pasiguruar, do të thotë që kemi një automjet me pa kontroll të duhur teknik në rrugë, që jemi të njoftuar të gjithë me dëmet dhe aksidentet që po shkaktohen nga këto vetura. Është pengesë teknike për anëtarësimin në Këshillin e Byrove, mandej buxheti i Kosovës dëmtohet shumë nga mos shitja e këtyre policave, ndërsa kompanitë e sigurimeve paralizohen dyfish”, ka thënë Pushkolli.

Sa i përket Kartonit të Gjelbër si lehtësi për këtë policë, BKS që nga 19 maji i këtij viti ka mundësuar policat e sigurimit të blihet edhe online, por Pushkolli mohoi se kolonat e gjata po krijohen në kufi nga mërgimtarët për shkak të blerjes së policës në kufi, transmeton KP.

Ai shtoi se mërgimtarët janë të informuar përmes një memorandumi që ka pasur BKS me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Diasporës, ndërsa kjo e fundit ka marrë përsipër sensibilizimin e opinionit për shitjen e policës online, por tha se pritjet e gjata në kufi kanë të bëjnë më tepër me kontrollet rutinore të policisë në të dyja anët e kufirit.

“Pritjet në kufij kanë të bëjnë më tepër me kontrollin rutinore të policisë në të dy anët e vendit, duke pasur parasysh se edhe në dalje prej Kosovës kemi pritje disa orësh. Në anën tjetër, dua ta përmendi se tërë Evropa juglindore gjatë sezonit veror ballafaqohet me pritje në kufi”, ka thënë ai.

Sipas drejtuesve të BKS-së të hyrat nga primet e sigurimit kufitar për periudhën janar – qershor 2018 janë në vlerë 2 milionë e 421 mijë e 556 euro, ndërsa pagesa e dëmeve për këtë periudhë kap shifrën 2 milionë e 691 mijë e 563 euro.

Po ashtu, shpenzimet për këtë periudhë kanë qenë 916 mijë e 621 euro.

Ndërsa, nga primet e sigurimit kufitar për vitin 2017 ishin në vlerën prej 7 milionë e 292 mijë e 63 euro, derisa pagesa e dëmeve në vitin 2017 ishte 5 milionë e 486 mijë e 987 euro.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400