Çitaku: Arritëm t’i rrallojmë raportimet për Kosovën në KS të OKB-së

14:22 / E enjte, 30 Gusht 2018

Raportimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk do të jetë në rend të ditës në seancën e radhës që pritet të mbahet në muajin shtator nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar ambasadorja e Republikës së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Po është e vërtetë. Kjo është për shkak se miqtë e Kosovës tash e sa kohë kanë kërkuar që të rrallohet cikli i raportimit. Nuk ka asnjë logjikë që për Kosovën të flitet më shumë se për zonat e luftës”, ka thënë Çitaku për Gazetën Express.

Ambasadorja Çitaku e cila ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në seancat e KS të OKB-së, thotë që ka presione nga Rusia dhe Serbia që seancat të jenë të rregullta.

“Sigurisht ka insistim të madh nga ana e Rusisë dhe Serbisë që seancat të jenë të rregullta, por muajin e kaluar Britania e Madhe dhe tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën që ta shmangin nga rendi i ditës. Këtë si Kosovë e kemi kërkuar shumë moti” ka thënë ajo për Gazetën Express.

E pyetur nëse është shqetësues fakti që raportimi për Kosovën është shtyrë në momentin që kryesimin e  OKB-së do ta marr SHBA, Çitaku thotë se kjo farë nuk ka rëndësi.

“Kjo është tepër mirë për ne. Është thyer cikli”, ka thënë ambasadorja Çitaku.

Ndërkohë lidhur me këtë çështje ka folur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se pret që raportimi për Kosovën në OKB, të ndodh në muajt tetor apo nëntor kur kryesimin do ta marrin Bolivia dhe më pas Kina.

“Shpresojmë që seanca për Kosovën të jetë në tetor kur do të kryesojë Bolivia, ose më së voni në nëntor kur kryesimin do ta ketë Kina”, ka thënë Daçiq.

Në seancën e fundit të OKB-së, Daçiq ishte ankuar për ndryshimin e formatit të raportimit, duke thënë se një gjë e tillë do të shkaktonte probleme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, thuhej se situata e përgjithshme në Kosovë është e qëndrueshme, por  ka përmendur disa incidente të cilat mund ta tensionojnë situatën.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400