I detyronte qytetarët të këndonin dovë për kredi e më pas ua vidhte paratë

17:34 / E premte, 22 Qershor 2018

Valon Mema, një agjent i organizatës mikrokreditore Kosova Grameene Missioone Arcobaleno në Pejë , përpos që ka detyruar qytetarët të këndojnë “dovë” për t’u dhënë para në formë kredie, ai më pas edhe ua ka vjedhur ato, transmeton Gazeta InfoPress.
Mema tani është arratisur, ndërkohë që është në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Q. B (emri i njohur për redaksinë), ka treguar se si nëna e tij ka marrë kredi në vlerë prej 17 mijë eurosh, ndërkohë që agjenti Mema edhe pse çdo javë ka shkuar për të marrë këstin, nuk ka lëshuar asnjë fletëdëshmi.

Pavarësisht vjedhjes nga agjenti i tyre, Q.B’së ky mision nga Bangladeshi është duke i kërkuar që të paguaj paratë. “I kanë shti gratë për me thanë dovë që me marrë kredi”, ky është fillimi i rrëfimit të një qytetari, nëna e të cilit ka marrë kredi në një organizatë në vend të bankave me emrin “Grameen”, dikur Arcobaleno-Microcredit Fund.

Kjo është një organizatë me karakter fetar që operon në 20 komuna të Kosovës, e cila u jep kredi grave që duan të zhvillojnë biznesin e tyre.

Nëna e Q.B. kishte marrë kredi nga kjo organizatë me qëllim të zhvillimit të biznesit të saj. Për të marrë një shumë kaq të madhe, ka qenë e nevojshme që të garantonin persona të ndryshëm. Në fakt, çeqet janë shkruar në emër të secilit garantues dhe kështu janë marrë edhe paratë nga kjo organizatë.

Kur Q.B. kishte pyetur rreth asaj se pse këto çeqe janë në emër të garantuesve, Valon Mema agjent i kredisë në këtë organizatë, i kishte thënë atij se kjo është politika e organizatës, dhe se nuk do të figurojë askund emri i tij.

Një prej kushteve kryesore për të marrë kredi në këtë organizatë ka qenë për të thënë dovë “I kanë shti me thanë dovë në mënyrë që me marrë kredi”, ka thënë Q.B për Gazetën Express. Pas marrjes së kredisë, e ëma e Q.B. ka paguar çdo dy javë këstin e kredisë derisa në fund ka përfunduar shumën prej 17 mijë eurosh.

Çdo dy javë, agjenti i kredisë, Valon Mema, ka shkuar për t’i marrë të hollat dhe në asnjë rast nuk i ka lëshuar së ëmës së Q.B. asnjë dokument të vetëm që e vërteton se këto të holla janë dorëzuar nga ajo.

Gruaja e moshuar ka menduar se gjithçka është në rregull me kredinë e marrë dhe se e ka paguar të tërën. Se këto të holla janë dorëzuar janë shënuar vetëm në disa libreza të cilat i ka mbajtur Valon Mema.

Por, sipas të dhënave nga Q.B, Valon Mema i ka marrë të gjitha këto të holla dhe nuk dihet më asgjë për të. “Kam dëgjuar se ka ikur nga shteti”, ka thënë Q.B. Për këtë ekziston edhe një padi nga vetë kjo bankë, sipas asaj që ka dëgjuar Q.B për ish punonjësin e saj. “Tash kanë fillu me i dhanë dëshmitë kur paguajnë kredi marrësit” ka thënë ai për Express.

Q.B në fund të këtij viti i është thënë se duhet të paguajë borxhin e mbetur, borxh të cilin nëna e tij e kishte përfunduar kohë më parë. Gazeta Express ka thirrur për të biseduar me punonjësen e kësaj organizate, e cila është agjente e kredisë dhe e cila, sipas Q.B., ka punuar një kohë të gjatë me Valon Memën. Ajo ka refuzuar të japë çfarëdo informate. “Nuk jam e autorizuar të flas”, ka thënë ajo për Express, duke na këshilluar të shkojmë në zyrat e tyre në Pejë vetëm pas dy jave.

Gazeta Express ka kërkuar të dhëna zyrtare nga policia, të cilët e kanë konfirmuar se çështja e OJQ “Grameen” është trajtuar si rast, dhe se pas përfundimit të hetimeve është ngritur kallëzim penal, i cili është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Ndërsa për rastin e Valon Memës, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli, ka thënë se “Prokuroria i ka ndërmarre të gjitha veprimet hetimore. V.M është në arrati, prokuroria ka lëshu flet arrestim dhe letër rreshtim vendor, ndërsa pasi ka ndërrmarrë të gjitha këto veprime, janë pezullu hetimet me dt. 17.08.2016 për këtë person, deri në kapjen e tij, pasi që ligji obligon pezullimin e hetimeve deri të arrestohet personi në kërkim” është shprehur ai për Express.

Ish-punonjësin e vet a ke paditur Kosovo Grameen –Missione Arcobaleno duke parashtruar kallëzim penal ndaj të njëjtit. Ai akuzohet për veprën penale shpërdorim të pasurisë së huaj. Rasti është i ditur për organet e drejtësisë qysh nga viti 2015, ndërsa dyshohet se është kryer gjatë vitit 2013 e deri në vitin 2014 të dhëna këto të siguruara nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400