Edi Rama për Gjykatën Speciale: Pretendimet e Dick Martyt janë fantazira

23:54 / E hëne, 22 Janar 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i intervistuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në Report TV, ka folur edhe për çështjet kryesore që prekin realitetin politik kosovar.

Klan Kosova sjell akcentet e Kryeministrit Rama mbi Gjykatën Speciale dhe iniciativën për shfuqizimin e saj, vrasjen e Oliver Ivanoviqit, etj.

Marrëdhëniet rajonale janë si enët komunikuese, gjatë bisedimeve me Athinën a janë diskutuar lëvizjet e mundshme të njohjes së Kosovës?

Edi Rama: Nuk ka asnjë bisedim me askënd ku Kosova nuk është në diskutim, ku unë jam i pranishëm apo Ministri i Jashtëm.

Pra ka qenë pjesë e diskutimit Bushati-Kotzias?

Edi Rama: Jo, nuk ka lidhje. Fakti që nuk e kanë njohur Kosovën lidhet me problemet që ata kanë. Sot jetojmë në një botë ku siguria është problem i madh për të gjithë. Nëse duam një rajon më të sigurt, Kosova duhet njohur nga të gjithë.

Vrasja e Oliver Ivanoviq, sa do ndikojë në bisedimet shqiptaro-serbe?

Edi Rama: Nëse do përdorej si alibi për bllokimin e bisedimeve mund të ndikonte. Mesa shoh jo vetëm që nuk duket të ndikojë për keq, por mund të ndikojë për mirë. Reagimi i Serbisë ka qenë korrekt.

Mendoni se siç ndodhi në Maqedoni, me trazirat në parlament, ose ngjarjet në Mal të Zi, do ndodhë dhe pas vrasjes së Ivanoviq?

Edi Rama: Do të ishte ekzagjerim i paarsyeshëm të thuhej kjo, sepse nuk ka asnjë element faktik që do ta bënte të mundur këtë. Porositësit e vrasjes së Ivanoviqit nuk kanë nënshtetësi shqiptare apo kosovare.

Ju jeni takuar shpesh me Vuçiq, në bisedimet për Kosovë, ka kërkuar ndarjen e saj ose shkëmbimin e territoreve?

Edi Rama: Presidenti i Serbisë e dëshiron realisht një zgjidhje përfundimtare dhe po ashtu përshtypja ime është se ende nuk i qaset zgjidhjes përfundimtare me një vendimmarrje përfundimtare për ta këputur me shpatë. Dëshirën dhe vullnetin e ka, por ende është në një pikë ku nuk ka zgjidhje përfundimtare.

Si e komentoni lëvizjen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Edi Rama: Është një lëvizje e orkestruar, e zhvilluar në një terren paqartësie që ka krijuar konfuzion edhe te partnerët. Kam bindjen se duhet shpjeguar gjithçka me kujdes dhe me durim dhe patjetër që në fund të ditës, Kosova është nëna e të gjithë atyre që janë lindur aty, por është foshnja që lindi si shtet sovran e të gjithë atyre që janë kundër zhbërjes së këtij legjislacioni. Është se unë e shoh të domosdoshme që kur ka çfarë do qoftë një nismë, qasje të caktuar lidhur me çështje të kësaj rëndësie, duhet të merren në konsideratë qëndrimet e atyre që e lindën këtë foshnje të lirisë dhe pavarësisë së asaj pjese të trojeve shqiptare.

Gjykata Speciale pritet të ketë si objekt hetimi raportin e Dick Marty në të cilin thuhet se krimet e pretenduara janë kryer në territorin e shtetit shqiptar. A do bashkëpunojë shteti shqiptar që hetimet e kësaj gjykata të përfshijnë edhe territorin e shqiptar?

Edi Rama: Nëse Tribunali do ngrihet mbi librin e Dick Marty do ishte një zhgënjim shumë i madh. Është ngritur mbi fantazi, sepse aspektet që prekin territorin shqiptar nuk verifikohen. Kemi qenë të hapur dhe ky ka qenë konstant edhe qëndrimi i qeverisë së kaluar, se Shqipëria nuk pengon asnjë proces hetimor lidhur me çfarë do akuze. Por nga ajo që kemi hulumtuar rezulton se ai është një libër me një nivel fantazie që mund ta bënte Dick Marty-n një autor që të merrte një çmim në festivalet e filmave “Science fiction”. Shqipëria as ka bërë dhe as do bëjë pengesë të provohet për të vërtetën.

A bini dakord me deklaratën e ministrit Majko se bizneset e kufirit Kosovë-Shqipëri në rastin më të mirë kanë ngelur vetëm në vullnetin e mirë të qeverive?

Edi Rama: E ka thënë në gjuhën e duhur, kush ka vesh le të dëgjojë se për kë bëhet fjalë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400