Ekskluzive: E konfimon Suzana Gërvalla: Gjermania rinisë hetimet për vrasjen e Jusuf Gërvallës. Këta janë të dyshuarit

16:52 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

InfoPress / Valon Rogova

Shteti gjerman ka rinisur hetimet për vrasjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare Jusuf Gërvalla. Këtë njoftim e dha për gazetën “Infopress”, Suzana Gërvalla bashkëshortja e veprimtarit Jusuf Gërvalla. Në prag të 36 vjetorit të vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes Kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zekës, familjarët vazhdojnë të shprehin indinjatën e tyre për neglizhencën e institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilat sipas tyre nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen e këtij rasti.

Për gazetën “Infopress”, u deklarua Suzana Gërvalla, bashkëshortja e veprimtarit të shquar Jusuf Gërvalla, e cila njoftoi se shteti gjerman i ka riaktivizuar hetimet për vrasjen e Jusufit. “Shteti i Kosovës nuk është marrë dhe as si ka interesuar ajo punë. Me vrasjen e Jusufit shtetit gjerman i ka riaktivizu hetimet edhe tash po merren”, tha zonja Gërvalla për InfoPress.

Ajo shpreson se zbulimi i vrasjes së atdhetarit Enver Hadri mund të çojë në zbulimin e vrasjes së Jusufit. “Mbasi është zbuluar edhe vrasja e kroatit edhe Enver Hadrit, kemi shpresa që do të zbulohet edhe vrasja e Jusufit. Për këtë po punohet mjaft në Gjermani”, u shpreh ajo.

Suzana Gërvalla: I kemi disa emra që dyshojmë se e kanë vrarë Jusufin

Më tej, ajo foli për veprimtarinë e bashkëshortit të saj, duke potencuar se vrasjen e tij e porositi UDB-ja me bashkëpunimin e shqiptarëve. “Jusufi ka luftuar me pendë dhe jo me armë, asnjëherë. Sipas mendimit tim është njeri që dinte ti organizonte gjërat, t’i bashkojë mërgatën, kur bëheshin demonstrata, Jusufi ishte ai që i organizonte nëpërmjet të tjerëve. Natyrisht se vrasjen e Jusufit, e ka porosit UDB-ja me bashkëpunimin e disa shqiptarëve”, tha zonja Gërvalla.

Në fund, zonja Gërvalla, shtoi se kanë emra që qarkullojnë, por që nuk dinë akoma se kush konkretisht ka vepruar.

Ajo shtoi se megjithë vështirësitë që ka kaluar pas vrasjes së bashkëshortit, është e lumtur që ka qenë një nënë e përkushtuar për Premtonin, Donikën dhe Ergonin.

Ndërkaq, veprimtari i çështjes kombëtare Sabri Novosella, tha se Jusuf Gërvalla ju pengonte armiqëve të kombit shqiptar, serbo-sllavëve dhe bashkëpuntorëve të tyre.

Sabri Novosella: Jusuf Gërvalla e ka përzënë nga shtëpia Ibrahim Kelmendin

“Për armiqtë e popullit shqiptar, për serbo-sllavët dhe bashkëpuntorët të tyre, në Tiranë dhë në ish Jugosllavi, duhej të vritej Jusuf Gërvalla, mu për atë që ishte njëri nga veprimtarët më të mirë të asaj kohe. Nuk është mirë të spekulohet me emra apo grupe, në lidhje me vrasjen e Jusuf Gërvallës etj., pasi që kjo mundet t’i dezorientoj hetimet për zbulimin e vrasësve të tij. Është fakt se Ibrahim Kelmendi ka qenë i përzënë nga shtëpia e Jusufit dhe vetëm me Kadri Zekën arriti që të hynte sërish në shtëpinë e Jusuf Gërvallës, ndërsa ditën që është vrarë Jusuf Gërvalla, ai vetëm dy orë para se të vritej, ishte larguar nga shtëpia e tij”, tha ai.

Sipas Novosellës, duket që Jusufi Gërvalla, ka qenë pengesë edhe për për Qeverinë e Enver Hoxhës, këtë e argumenton edhe fakti se Jusuf Gërvalla i shkruajti një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku në mes tjerash i thotë: “Shoku Enver, ne nuk mund të presim deri në triumfin e revulucionit botëror, për t’u zgjidhur çështja e Kosovës”.

“Kjo ishte e mjaftueshme që, qëndrimi i PPSH-së, të ndryshojë ndaj Jusuf Gërvallës dhe ndaj të gjithë neve. Kjo ishte një dëshmi se edhe qëndrimi i Jusuf Gërvallës nuk ndryshonte nga qëndrimi i kryetarit të LNÇKVSHJ-së, Metush Krasniqit, i cili ishte në ballë të kësaj Lëvizjeje. Kjo ishte arsyeja pse vriteshin kuadrotë e LNÇKVSHJ-së, siç ishte Jusuf Gërvalla, Metush Krasniqi, Kolonel Ahmet Krasniqi, Adem Jashari etj. Padyshim, po të ishin këta veprimtarë në ballë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, tjetër rrjedhë do të kishte Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe ngjarjet që rrodhën deri në ditët tona”, tha Novosella për InfoPress.

Nga ana tjetër, Ibrahim Kelmendi, theksoi që rëndom sistemi të atëhershëm monist, komunist, dhe strukturave kuislinge të KSA të Kosovës, iu pengonin angazhimet e shqiptarëve patriotë. Prandaj edhe angazhimi patriotik i Jusuf Gërvallës i ka penguar ato struktura sundimtare dhe pushtuese.

Ibrahim Kelmendi: Jusuf Gërvallën ka mundur ta vrasë, Riza Salihu

“Ka qenë praktikë e atij sistemi pushtues e sundues, që ti vriste kundërshtarët politikë, nëse nuk mund ti arrestonte, torturonte e dënonte me shumë vite burg. Vet fakti që ka qenë një ndër veprimtarët më të mirë të kohës, siç e paskësh vlerësuar më të drejtë edhe zonja Syzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusufit, ka qenë një shkak më shumë që krye-sundimtarët e atëhershëm të merrnin vendim për ta vrarë Jusuf Gërvallën, bashkë me bashkëveprimtarët e tij më të ngushtë”, tha Kelmendi.

Më tej, Kelmendi shtoi se, ka edhe të dyshuar për vrasjen e tij.

“Unë e kam dyshuar për doras vrastar Riza Salihun, nga Mushitishta e Suharekës, atëherë i angazhuar si kuadër i UDB-së në Shtutgart. Dyshimin e kam bazuar në urdhrin që ai ia pat dhënë Hysen Gegës, qysh në janar 1980, që ta vriste Jusuf Gërvallën. Riza Salihu, atëherë shpifte se Jusuf Gërvallën e ka dërguar UDB-ja në Gjermani, për ta spiunuar e përçarë emigracionin patriotik. Fatkeqësisht edhe tani i përhapë të njëjtat shpifje e denigrime ndaj Jusufit e Bardhosh Gërvallës. Pos urdhrit për ta vra Jusuf Gërvallën, Riza Salihu u angazhua te vidhte letërkëmbimin e Jusufit dhe timin. Në këtë vjedhje qe kapë në flagrancë nga policia gjermane dhe qe dënuar për kundërvajtje 6 muaj. Edhe hetuesia gjermane e ka dyshuar Riza Salihun për doras, sepse nuk i besonte alibisë se tij. Kështu që pak ditë pas vrasjes, përmes televizionit publik në Gjermani, policia gjermane e kërkonte të dyshuarit Riza Salihu. Por, meqë atëherë Gjermania dhe Jugosllavia kishin marrëdhënie tepër miqësore, ai hetim që pezulluar. Në vitin 1991, kur tashmë RSFJ po shkërmoqej, hetuesia gjermane e burgosi sërish Riza Salihun dhe e mbajti rreth 15 muaj në burg. Ju bë edhe proces gjyqësor. Unë isha i caktuar si dëshmitar. Por, procesi u ndërpre në pamundësi për ti siguruar dëshmitarët nga Jugosllavia e atëhershme”, pohoi Kelmendi.

Kelmendi, shtosi se takimi i fundit me Jusuf Gërvallën ka qenë gjatë 16 e 17 janarit 1982.

“Jusufi na ka ftuar Kadri Zekën dhe mua ti shkonim në vizitë me 16 janar, meqë kishte organizuar një aktivitet. U takuam në banesë të Murat Kryeziut, në Bernhausen (afër Shtutgartit), të shtunën në mbrëmje. Aty gjetem rreth 15-16 veta. Pas mesnatës, duke filluar 17 janari, jemi shpërnda. Jusufi na ka marrë mysafirë në shtëpinë e tij Kadriun, Sylë Nuhajn dhe mua”, tha Kelmendi.

Më tej, Kelmendi theksoi se te Gërvalla, ka qëndruar deri rreth orës 15:30 të ditës se diel të 17 janarit 1982.

“Në mëngjesin e asaj dite kemi themeluar Lëvizjen. Me kërkesë të Jusufit e Kadriut jemi larguar unë dhe Syla, për të dërguar videokasetën që na dha Jusufi, sepse në Klubin Shqiptar “Emin Duraku”, në Dyseldor ishte paralajmëruar shfaqja e tv-dramës “Gërsheta lufte“ dhe “Epoka para gjyqit“. Rreth orës 22:15 kanë ndodhur vrasjet në Untergruppenbach, pranë shtëpisë ku jetonte Familja Gërvalla” përfundoi Kelmendi.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400