Eksploziv në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj

18:44 / E enjte, 09 Gusht 2018

Në Zyrën e Kryeministrit ka arritur një pako nga “Xhorxh Majkëll”, në të cilën nuk kishte ndonjë dhuratë, por krejt diçka tjetër – hiç më pak se dy kilogramë eksploziv të llojit tritol.

Merret vesh se krejt kjo ishte bërë për ta testuar sigurinë në Zyrën e Kryeministrit dhe objektin e Qeverisë. Nga kjo del se gjithçka kishte dështuar në këtë aspekt, duke kaluar të gjithë filtrat e sigurisë.

Simulimi është bërë në koordinim me Zyrën e Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit eshte pyetur për këtë çështje, por kanë thënë se nuk kanë pasur raste të tilla.

“Ne nuk kemi pasur ndonjë incident në praktikë, për të cilën ju po aludoni dhe as informacione për një gjë të tillë”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo ka shtuar se për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë kujdeset Policia e Kosovës.

Por jo vetëm kaq – edhe dy raste tjera të simulimit në ndërtesën e Qeverisë kanë rezultuar të suksesshme.

Rasti tjetër ka qenë kur një “mekanik” ka arritur të hyjë në ndërtesën e Qeverisë me dy armë të llojit zolë.

Kurse një person në cilësinë e një “invalidi” ka arritur që brenda objektit ta fusë një pushkë të gjatë. Krejt kjo në kuadër të simulimit.

FaktePlus, po ashtu, merr vesh se për dështimin e sigurisë në Zyrën e Kryeministrit dhe në objektin e Qeverisë janë shkarkuar katër persona, përfshirë dy policë dhe një rreshter.

Simulimi është bërë nga Njësia Antiterrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila bën simulime për sigurinë në institucione.

FaktePlus ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë, por deri më tani nuk kanë dhënë asnjë sqarim.

Policia e Kosovës ka thënë se ka testuar sigurinë në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka dhënë detaje nëse ka parë ndonjë lëshim të sigurisë.
Më herët, gjatë ditës, është raportuar se në zyrën e kryeministrit është futur një sasi eksplozivi për ta testuar sigurinë. Policia nuk ka pohuar dhe as nuk ka mohuar raportimet e tilla.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim sulmi apo hyrje të ndonjë mjeti eksplodues në objektin në fjalë, por ju informojmë se Policia e Kosovës në vazhdën e inspektimeve periodike, me qëllim të avancimit të punës, profesionalizmit, si dhe vlerësimin e punës dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në ofrimin e sigurisë së objekteve policore dhe institucioneve shtetërore, si dhe testimin e nivelit të funksionalitetit të pajisjeve të sigurisë në dispozicion, ndërmerr edhe testime simuluese të situatave nga më të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Policia thotë se nëse rezulton se ka dështuar sistemi i sigurisë në zyrën e kryeministrit Haradinaj, do të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë.

“Varësisht prej rezultateve dhe të gjeturave nga këto inspektime (testime) dhe pas analizave të mirëfillta, PK-ja planifikon trajnime adekuate për stafin e angazhuar, inicion kërkesa për blerjen e pajisjeve më të avancuara dhe që do t’i përgjigjen kohës, apo në rast të ndonjë lëshimi eventual ndërmerr masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës ka marrë veprime të tilla edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të zbulimit të ndonjë hallke në sistemin e sigurisë që mund të përdoret nga kriminelët.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400