Franca nuk e harron azilantin shqiptar që shpëtoi dy familje

11:04 / E enjte, 14 Qershor 2018

Bashkia e qytezës Change në Francë ka hapur një fond për t’i ndihmuar financiarisht azilantit nga Kosova Florim Shehu, i cili shpëtoi dy familje nga vërshimet e ujit të dielën. Atij iu dëmtua vetura e tij, pasi e la atë për t’i ndihmuar familjet në lagjen ku banon.

Për ta bërë atë me një veturë të re, bashkia e qytezës Change ka hapur një fond për të mbledhur të holla.

Florim Shehu, i cili jeton prej tre vitesh në Francë, rrëfeu për mediumin francez Ouest France ngjarjen e së dielës në fshatin Change. Ai tregoi se si shpëtoi nga përmbytjet disa familje në qytezën ku jeton.

Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet.

“Është heroi ynë!”, deklaroi të dielën fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut. “Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.

Mediat franceze e kanë krahasuar Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400