Gecaj: Deklaratat e Ernest Lumës ndaj kryeministrit janë të çmenduara!

14:51 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Infopress / Ardita  Zeka

Redaktori i RTK-së, Ernest Luma ka ripostuar një status të kryeministrit Mustafa, ku ai kishte dhënë një deklaratë të fortë lidhur për Ramush Haradinajn.

“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: “Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën” … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të “popullit”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.

E nga ky ripostim është duke vazhduar debati dhe polemika përmes rrjetit social Facebook, në mes redaktorit të RTK-së, Ernest Luma dhe kabinetit qeveritar të Isa Mustafës, në këtë rast zëvendës ministrin, Bajram Gecajt.

Ernest Luma ka shkruar në facebook duke sqaruar se nuk ka dashur ta fyejë kryeministrin Mustafa, por sipas tij fjala “vorr” ka shumë kuptime, siç është i ftohtësisë dhe heshtjes.

“Të njëjtin status, në fakt print-screen-in e tij nga origjinali, e publikova unë, rreth 30 orë pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Aeroportin e Baselit. E publikova në profilin tim personal në Facebook, e jo në uebsajtin e RTK-së e as në faqen e RTK-së në Facebook. E postova i nxitur nga reagimi, gjithashtu i vonshëm dhe që më tingëlloi krejt “cool”, i kryeministrit aktual të Kosovës, për ndalimin e padrejtë në një kufi evropian të një ish-kryeministri, po ashtu të Kosovës, dhe të një ish-udhqëheqësi e luftëtari të shquar të UÇK-së. Rrjedhimisht, reagimit tim ia dhashë edhe cilësorin “vorr”, si atribut për atë në të cilin, vërtet, më ngjau kryeministri Mustafa. Fjala vorr (varr) na asocon në shumë kuptime, por më së shumëti në ftohtësi dhe në heshtje- i ftohtë si varri, i heshtur si varri. Unë e përdora në gegërishte: vorr”, ka shkruar Luma.

Nga kjo nuk la pa reaguar edhe zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në facebook , duke i quajtur të çmendura dhe konspirative deklaratat e Lumës.  “RTK duhet menjëherë të përjashtojë nga radhët e veta këtë infiltrues në shoqërinë gazetareske. Ai duket të ketë harruar se televizioni për te cilin punon duhet të përfaqësoi publikun e gjerë, ndërsa Kryeministri Mustafa përfaqëson koalicionin e gjerë qeverisës i cili është përfaqësues legjitim (i zgjedhur) i shumicës së popullatës kosovare. Mosrespektimi dhe ofendimi i Kryeministrit rrjedhimisht nënkupton edhe mosrespektim dhe ofendimin e të gjithë atyre qytetarëve të cilët votuan për secilin pjesëtar të koalicionit qeverisës, si dhe institucionet kryesore të këtij vendi. Prandaj, nëse pretendojnë të jenë të paanshëm dhe politikisht neutral, RTK duhet menjëherë të përjashtoi nga radhët e veta këtë infiltrues në shoqërinë gazetareske”, ka shkruar Gecaj.

Redaktori i RTK-së, Ernest Luma i është kundërpërgjigjur këshilltarit të kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, i cili e kishte pyetur postier i kujt je ti, Bajram Gecaj.

“Më vjen keq që i tërë kabineti i Mustafës është dashur t’i spostojë energjitë, këto ditë, nga angazhimet e mëdha për hapjen e rrugëve në veri të vendit dhe heqjen e murit në Mitrovicë, në përpjekjet për ta zhvendosur vëmendjen prej akuzave të tij si kryeministër të bëra ndaj Haradinajt, në të njëjtën valë me Vuçiçin, Gjuriqin e Drecunin, në krejt diçka tjetër, në një luftë personale “bubashfabash” e postierësh të tij, kundër meje. Postieri i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, mendoj se, më parë sesa të flasë për mua, do të duhej të sqarojë historinë e mjegullt të Fondit të 3-përqindëshit në Londër”, ka shkruar Luma.

Infopress është munduar që të marrë një përgjigje nga redaktorit të RTK-së Ernest Luma, por ai nuk pranon të flas më asgjë lidhur me këtë çështje me arsyetimin se është i zënë.

“Unë kam thënë krejt çka kam pasur për atë temë, isha i zënë me punë, në redaksinë time në RTK, deri tani ashtu do të jem edhe nesër dhe në ditët në vijim”, ka thënë Luma për InfoPress.

Kurse, zëvendësministri i pushtetit lokal, Bajram Gecaj, për Infopress, ka thënë se me Ernest Lumën nuk do të merret, por kryesisht me RTK-në.

“Me Ernest Lumen nuk isha marrë fare, sepse nuk e meriton. Unë kryesisht jam marrë me RTK, sepse ai është redaktor aty. Një redaktori në një institucion të tillë publik nuk mund ti lejohet gjuhë e tillë primitive ofenduese ndaj institucioneve tjera publike”, thotë Gecaj.

 

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400