Gjykata Kushtetuese e demanton vetë lajmin, gjyqtarët s’i kanë refuzuar pagat me rritje

16:37 / E enjte, 12 Korrik 2018

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët ishin pjesë e vendimmarrjes për pagat e kabinetit qeveritar, lëndë për të cilën konstatuan se nuk janë gjetur shkelje, s’i kanë refuzuar pagat e tyre me rritje, ashtu siç u raportua të mërkurën. Megjithatë, as nuk e kanë sqaruar pse pagat e tyre nuk i kanë marrë me rritje. Me vendimin e Kryeministrit Haradinaj, përveç kabinetit të tij, pagat u rritën automatikisht edhe Gjyqtarëve të Kushtetueses.

Shtatë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të cilët vlerësuan se vendimi i Qeveriseë për rritjen e pagave të tyre nuk shkel Kushtetutën, nuk i kanë refuzuar pagat, siç u raportua dje.

Kjo u demantua nga Gjykata Kushtetuese të cilët sqarojnë se lajmi i publikuar dje nuk ka pasqyruar të vërtetën e plotë. Ndërkaq nuk tregojnë saktë se cila është e vërteta e tyre rreth pagave.

Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula, ka thënë të enjten për Gazetën Express se gjyqtarët nuk i kanë refuzuar pagat me rritje pas vendimit të ri.

“Njëkohësisht, për sqarimin tuaj, lajmi i publikuar dje në disa nga mediat, të cilit ju i referoheni në kërkesën tuaj, nuk ka pasqyruar të vërtetën e plotë. Meqenëse në përgjigjen e Gjykatës për mediat është thënë vetëm që, “gjyqtarët nuk i kanë marrë pagat me rritje”, dhe jo që i kanë refuzuar ato”, ka bërë të ditur Dula.

Rrjedhimisht, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim tjetër pos asaj që nuk i kanë refuzuar.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje se në vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave ka pasur shkelje. Ky institucion ka konsideruar se nuk ka pasur prova bindëse nga parashtruesit e lëndës për t’i mbështetur pretendimet e tyre.

Kësisoj, kryeministri Haradinaj do ta marrë pagën mujore 2950 euro, nga 1500 sa e kishte më parë. Ngjashëm do të marrin pagë me rritje edhe vartësit e tij, përjashto këtu vetëm zëvendësministrat.

Por, konstatimi i Gjykatës Kushtetuese doli të ishte po aq i favorshëm edhe për sistemin gjyqësor. Rritja e pagave të Qeverisë reflektohet automatikisht edhe te pagat e prokurorëve e gjyqtarëve. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarët e kësaj gjykate sipas vendimit të ri, do të marrin paga më të larta.

Me vendimin e ri prokurorët e gjyqtarët do të paguhen nga 1400 deri në 3000 euro. Paga më e lartë do t’i takojë kryetarit të Gjykatës Supreme, që do të jetë ekuivalente me atë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, 2950 euro. Paga e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme do të ishte ekuivalente me atë të një ministri në Qeveri, e cila i bie të jetë 2000 euro.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400