Gjykata në Beograd liroi autorin e masakrës së familjes Bogujevci, arsyetohen se u soll mirë

20:00 / E mërkure, 25 Prill 2018

 

Ishte 28 Marsi i 99`ës kur njësiti i Ministrisë së Brendshme të Serbisë , “Shkorpionët” , kishte mësyrë Podujevën. Të pamëshirshëm ndaj kujtdo që i dilte përpara , pjesëtarë të këtij njësiti nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë.
14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi , shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra, ishin ekzekutuar , e pesë nga fëmijët kishin shpëtuar për të treguar më pas ngjarjen makabre të “Shkorpionëve”.
Me guxim të madh fotografitë e familjarëve të tyre të vrarë të mbijetuarit i kishin ekspozuar edhe në Beograd.

Pjesë e njësitit ishte edhe Sasha Cvijetan.

Për këtë krim në vitin 2005 para Gjykatë së Qarkut në Beograd ai u dënua me 20 vjet burg .

E në vitin 2010 janë dënuar edhe kryerësit tjerë të krimit në Podujevë – Dragan Borojeviq, Miodrag Sholaja dhe Dragan Mediq, dhe në vitin 2011, pas përsëritjes së procedurës, u dënua edhe Zheljko Gjuriq.

Sasha Cvjetan i ka kaluar në dy institucione korrektuese, në Mitrovicë të Sremit dhe në Beograd, gjithsej 16 vjet dhe 4 muaj.

Ai bëri kërkesë të lirohet me kusht e kjo edhe iu aprovua.

Gjykata e Lartë në Beograd liroi nga burgu ish-pjesëtarin e njësisë “Shkorpionet”, i dënuar për vrasjen e 14 anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi nga Podujeva.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka njoftuar se arsyet për këtë vendim janë se Cvijetan i ka mbajtur 2/3 e dënimit, se procesi i risocializimit te ai ka përfunduar me sukses, gjegjësisht se pritet se Cvijetan do të sillet mirë në liri dhe se gjatë kohëzgjatjes së lirimit me kusht ai nuk do të kryej vepër të re penal

E arsyetimi është se përderisa ka qëndruar në Institutin korrektues në Mitrovicë të Sremit, Cvijetan, kishte sjelljen “në përputhje me rregullat e rendit shtëpiak”.

Por në mënyrë çnjerëzore kishte vepruar atë ditë Marsi kur privoi nga jeta gra e fëmijë.

Vendimin për lirim më të hershëm të pjesëtarit të njësitit që kreu vrasjet në familjen Bogujevci e Duriqi nuk e ka pritur mirë Saranda Bogujevci , qe ngjarjen e kishte përshkruar edhe në Hagë.

Ajo ka thënë se ai i kreu krimet me vetëdije të plotë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400