Gjykata Speciale – Çfarë ndodhi sot në seancën ndaj Azem Sylës?

12:08 / E mërkure, 24 Janar 2018

 

Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve në trupin gjykues është edhe Vladimir Mikula, gjyqtari i Gjykatës Speciale I caktuari gjyqtar i Gjykatës Speciale Vladimir Mikula edhe zyrtarisht është pjesë e trupit gjykues në rastin e Azem Sylës dhe të tjerëve. Sot në Rastin “Toka” u ndërrua përbërja e trupit gjykues.

Tash kryetar i trupit gjykues në vend të Arkadiusz Sedek-ut do të jetë Petko Petkov. Edhe gjyqtaren vendore Nora Bllaca e ka zëvendësuar Vesel Ismajli, ndërsa anëtar i këtij trupi është edhe Vladimir Mikula. Avokati Besnik Berisha në seancë reagoi në lidhje me përfshirjen e Vladimir Mikulës në përbërjen e trupit gjykues.

Berisha tha se pasi që Mikula është i caktuar si gjyqtar në Gjykatën Speciale,nëse fillon puna e kësaj gjykate para se te përfundojë ky rast rrezikojmë ta humbim këtë gjyqtar. Avokati u ankua edhe në lidhje me përshpejtimin e mundshëm të këtij rasti për shkak se EULEX-i pritet ta përfundojë mandatin në fund të qershorit. Tha se Azem Syla meriton gjykim të drejtë. Kryetari i trupit gjykues e pyeti pastaj avokatin Berisha nëse reagimi i tij ishte kërkesë për ta përjashtuar Vladimir Mikulën, nga ky proces gjyqësor, ndërsa avokati Berisha tha se këtë çështje do të donte ta diskutonte në një seancë të mbyllur.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës. Kujtojmë se herën e kaluar kishte dështuar mbajtja e kësaj seance pasi që trupi gjykues kishte qenë në përbërje jo të plotë. Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm. Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave, raporton Kallxo.com Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal. Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400