Hipokrizia e Fisnik Ismailit: Vetëvendosje e ka logon më të shëmtuar në Evropë

11:40 / E mërkure, 09 Maj 2018

Fisnik Ismaili i është kundërpërgjigjur kritikave për logon që dje e publikuan deputetët e pavarur. Ismali tregon se ajo nuk është logo e partisë së re që themelohet sot, ndërsa ka akuzuar deputetë të Vetëvendosjes se vetë e kanë të vjedhur logon e partisë me të cilën prezantohej edhe vetë Ismaili deri para pak muajsh.

Dje u komentua një fotografi të cilën e publikuan të gjithë deputetët dhe anëtarët e Vetëvendosjes që sot do ta themelojnë Partinë Socialdemokrate. Kjo logo u mendua se do të jetë logoja e partisë së re, ndërsa mori shumë kritika. Deputeti i Grupit të Pavarur, Fisnik Ismaili, u është kundërpërgjigjur të gjitha këtyre kritikave, duke sulmuar veçmas anëtarët e Vetëvendosjes.

Sikur të ketë fshirë nga memoria ku ishte deri para disa muajve, Ismaili ka përqeshur logon e Vetëvendosjes, ndërsa po ashtu ka akuzuar se logoja e ish-partisë së tij është e vjedhur.

Ai i është përgjigjur edhe ish-bashkëpartiakut, Liburn Aliu, të cilit i ka thënë se ajo e publikuar dje nuk është logoja e Partisë Socialdemokrate dhe se sigla e partisë prezantohet sot qëm sipas Ismailit, do të jetë më simbolike, më e bukur dhe më domethënëse se ajo e vjedhura e VV’së.

Lexojeni të plotë postimin e plotë të deputetit:  

Çohet njeri e poston nji vizatim, lladikat as pa e dijtë çka asht, kujtojnë se asht llogo, edhe nisin me e vlerësue, hej! Ani kush me e vlerësue? Dashamirët e subjektit politik me logon ma të shëmtueme në Evropë, e cila përbëhet nga një fjalë e shkrueme në një font të vjedhun në internet, pa e modifikue hiç, pa pikë simbolike, pa pikë kreativiteti, të cilën sa herë e kqyrë të frymëzon me e grrithë naj kerr, thye naj xham ose futë sprej me e flliqë naj mur.

O lladika, me një foto profili, që as nuk pe dini se çka është, po ju baj me folë tanë natën palidhje. Po ju qes në pah mosdijen edhe analfabetizmin, qysh ia qitsha ktynehere militantëve debilla të Hashimit, nga të cilët s’jeni kah dalloni hiç kohëve të fundit. E tani po çuditeni pse hallki po ikin prej Vetëvendosjes!

Sigurisht se po e bani shumë krenar Albinin me komentet e jueja, posaçërisht ato fashiste drejtue LGBT-së, pamjeve fizike të atyne që kanë dalë, e plot komenteve tjera raciste që po i bani vazhdimisht. Kjo është sigurt formula e fitores së subjektit tuej. Partitë tjera po dini me i kritikue që po hyjnë e dalin në koalicione me PDK-në, a që jeni tuj u shndërrue vetë në PDK, as s’jeni tuj e pa.

Më pëlqeu posaçërisht komenti i Liburn-it mbramë. Liburn, s’asht logo. Ash veç nji copëz e asaj që ke me e pa sot, kur të publikohet logo, e cila ka me të ardhë mërzi që është ma e bukur, ma simbolike, ma domethanëse edhe ma kreative se e subjektit tand, edhe s’asht me font të vjedhun, por prapë prej inatit ke me e lëshue edhe naj koment palidhje, me kallxue që s’merr erë ne këtë fushë, qysh s’ke marrë kurrë.

U knaqa, more, me vëmendjen që po e krijoj me nji foto profili. Po coverin me e ndrrue, po u qartshi krejt. Logo publikohet sot. E di që ka me ju pëlqye, keni me plasë. ????????????????????

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400