“Ilindeni nuk është më në lojë”

16:05 / E premte, 25 Maj 2018

Në takimin që po mbahet në Nju Jork dy ministrat e jashtëm Dimitrov e Kocijas me ndërmjetësim të Nimicit po sqarojnë dilemat nëse propozimi “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” mbetet në tavolinën e bisedimeve ose bie poshtë.

Shefi i diplomacisë greke Kocijas pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, tha se pala tjetër duhet të tregojë pragmatizëm dhe realizëm për të gjetur zgjidhje.

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos në mënyrë eksplicite tha se “Maqedonia e Ilindenit” nuk është më pjesë e negociatave, por nuk prognozoi se cili mund të jetë epilogu i bisedimeve të sotme.

“Mendoj se ekzistojnë mundësi, ekzistojnë mjaftë variante, por në asnjë rast nuk mund të parashikoj rezultatin e negociatave të hapura. Mendoj se ekzistojnë parakushte politike dhe teknike që të arrijmë marrëveshje. Megjithatë kjo nuk varet vetëm nga Greqia por edhe nga IRJM-ja. Ne kemi vendosur dy parakushte në tavolinë, erga omnes dhe emër të përbërë të pranueshëm ” tha Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë, shkruan Alsat M.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras tha se Greqia në negociatat për emrin synon të merr diçka që të tjerët e kishin dorëzuar para 70 e më shumë vjetësh. Cipras tha se do të ishte fitore e madhe vendosja e një përcaktuesi para termit “Maqedoni”. Duke iu referuar negociatave që janë në zhvillim e sipër, Cipras grek tha se ato “janë të ndjeshme, kritike, por janë bërë hapa përpara”.

“Fqinjët tanë veriorë për mbi 70 vjet kanë një entitet shtetëror, qoftë në kuadër të Federatës Jugosllave, qoftë si shtet i pavarur më vonë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që quhet Maqedoni dhe mbajnë një emër i cili, pa asnjë referencë tjetër revokon botën antike greke dhe trashëgiminë e rëndë kulturore të Maqedonisë greke. Këtë po shkojmë të marrim. Nuk është e lehtë. Disa budallenj na thonë se po shkojmë të japim. Shkojmë që të marrim, jo që të japim. Po shkojmë të pajtohemi me fqinjët tanë të cilët kanë një entitet shtetëror që për 70 vjet quhet Maqedoni, por që nuk ka asnjë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe rrugëtimin e tij historik. Kanë rrënjë sllave dhe shqiptare dhe këtë ata e pranojnë. Nëse fitojmë përcaktues para emrit Maqedoni është fitore e madhe dhe akoma më e madhe nëse merremi vesh se tjetër është Maqedonia ynë që vjen nga tradita e lashtë e botës antike greke, ndërsa tjetër është tradita e tyre dhe shenja e tyre kulturore” ,deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Nga ana tjetër partneri i koalicionit qeveritar, “Grekët e Pavarur” tashmë ka betonuar qëndrimin se nuk pranon asnjë zgjidhje që do të përmbajë termin “Maqedoni”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400