Infermieri mik i Habilajve, ja si e fshihte drogën në shtëpi

23:33 / E premte, 20 Tetor 2017

Armando Koçerri, 31- vjeçari që e kishte kthyer banesën e tij në hambarin e drogës së Habilajve, punonte si infermier në spitalin rajonal të Vlorës. Ai e bënte çdo ditë vajtjeardhje rrugën rreth 10 km, nga fshati i tij Babicë, për në qytet.

Në shtëpinë e tij në Babicë jetonte me të ëmën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, djalë dhe vajzë. Kolegë të tij në spitalin e Vlorës ngrenë supet teksa i pyet për të dhe shprehen mjaft të habitur për arrestimin e tij.

Ata ishin në dijeni se Koçerri kishte miqësi me Habilajt, por sipas tyre nuk ishte ekspozuar shumë me ta, aq sa të mendohej se mund të ishte i përfshirë në veprimtaritë kriminale të tyre.

KOLEGET

Të riut nga Babica iu gjetën dy net më parë në shtëpi rreth 4 tonë drogë, një gomone që ishte në përdorim nga Moisi Habilaj, si dhe armë e fishekë. Pavarësisht tonelatave të drogës në shtëpi, punonjës të spitalit të Vlorës u shprehën se 31-vjeçari bënte një jetesë normale.

Ai nuk kishte në përdorim as ndonjë makinë të shtrenjtë që mund të vinte në dyshime pasi nuk justifikohej me të ardhurat e tij, por lëvizte me një “Benz 2200”. Emri i Armando Koçerrit nuk figuronte në asnjë dosje të Policisë së Vlorës.

Pikërisht duke qenë se ai ishte një person i pastër dhe jo në mbikëqyrjen e policisë, por edhe për shkak të pozicionit gjeografik të banesës së tij (është e veçuar nga shtëpitë e tjera të fshatit), dyshohet se Habilajt e kanë rekrutuar atë në veprimtarinë e tyre kriminale. “Armando kishte miqësi me Habilajt. Por nuk është se ekspozohej me ta aq sa të mendohej se ishte ngatërruar me punët e tyre. Ai bënte një jetesë normale. Nuk bënte ndonjë jetë luksoze apo shpenzime në mënyrë të tepruar që të dyshohej tek ai. Qarkullonte me një ‘Benz 2200’, që mund ta ketë kushdo”, shprehet një koleg i 31- vjeçarit në spitalin e Vlorës. Në fakt, punonjësit e këtij spitali ishin mjaft të rezervuar dje në lidhje me këtë ngjarje.

BANESA

Banesa dykatëshe ku u gjetën tonelatat e drogës dhe mjeti lundrues i Habilajve ndodhet rreth 10 km larg qytetit të Vlorës, në një pjesë të veçuar të fshatit Babicë. Në një distancë të konsiderueshme ndodhen edhe dy banesa të tjera. Policia zbuloi në një dhomë që ishte kthyer në hambar, drogën, gomonen, armën dhe fishekët.

Sasia e lëndës narkotike u ngarkua me dy kamionë, dhe rreth orës 03:00 u transportua në Komisariatin e Vlorës. Dje në banesën e infermierit 31-vjeçar ndodheshin familjarët e tjerë të tij.

“Ikni! Na lini të qetë në hallet tona”. Këto ishin të vetmet fjalë të bashkëshortes dhe të nënës së Armando Koçerrit. Ato nuk lejuan gazetarët të afroheshin apo të futeshin në banesë për të filmuar hambarin që zbuloi policia në shtëpinë e tyre. Dy fëmijët ishin të vetmit që dukeshin në oborrin e shtëpisë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400