Ish-shefi i OSHP-së: Unë është dashur të shpërblehem, e jo të akuzohem

16:00 / E mërkure, 18 Tetor 2017

 

I akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, ka deklaruar se për veprimet e tij është dashur të shpërblehet e jo të akuzohet.

“Me veprimet e mia nuk është dëmtuar askush, bile është kursyer buxheti i Kosovës. Po të kishim institucione të drejta unë është dashur të shpërblehem e jo të akuzohem”, ka deklaruar ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha.

Këto pohime, Hoxha i tha gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai së bashku me ekspertin shqyrtues të OSHP-së, Hysni Muhadri dhe Arsim Robellin nga kompania “Conex”, po akuzohen për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Hoxha shtoi se Ligji për Prokurimin Publik është “abc-ja” e OSHP-së dhe ky ligj i ka dy kritere kryesore në bazë të së cilave, sipas tij, një kompani mund të fitojë tenderin.

“Çmimi më i ulët dhe çmimi ekonomik më i favorshëm janë dy kushtet në bazë të së cilës zgjedhën kompanitë fituese për tender dhe në rastin konkret për të cilin po akuzohem, ‘Conex Group’ ka pas çmimin më të ulët”, ka thënë Hoxha, në mbrojtjen e tij, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas Hoxhës, dallimi në çmim mes kompanisë fituese “Conex Group”, që kishte ofertuar me çmimin më të ulët dhe operatorëve të tjerë që kishin parashtruar ankesë ishte mbi 260 mijë euro.

Po ashtu, Hoxha tha se operatorët të cilët kishin parashtruar ankesë nuk kishin kërkuar masë siguruese.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Sahit Bibaj nëse është dëmtuar dikush në gjithë këtë proces të prokurimit, Hoxha tha se absolutisht nuk është dëmtuar askush dhe këtë e kanë vërtetuar edhe përfaqësuesit e kompanive që kanë dëshmuar në seancat e kaluara ku sipas tij, kanë thënë se nuk ndihen të dëmtuar.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Sylë Hoxha, në lidhje me atë se kush e cakton panelin shqyrtues në OSHP, Hysni Hoxha tha se panelin e ka caktuar vet ai si kryetar.

“Edhe po të doja të caktoj anëtarë të tjerë në panel nuk e kam pasur këtë mundësi pasi që në atë kohë kemi qenë vetëm tre anëtarë në total”, tha ndër të tjera Hoxha.

Prokurori Sylë Hoxha, në pyetjet e tij, u koncentrua kryesisht në lidhje me disa formularë të operatorit “Conex Group”, të cilët kishin qenë pjesë e dokumenteve që i kishin mundësuar kësaj të fundit, fitimin e tenderit.

Lidhur me këta formularë të cilët i kishte dorëzuar operatori “Conex”, Hysni Hoxha tha se të njëjtit kishin qenë valid dhe nuk kanë dyshuar aspak në ta, pasi që ata formularë sipas tij, ishin standard që i lëshon Administrata Tatimore e Kosovës dhe në këta formularë, thuhej se “Conexi” i ka mbi 30 punëtorë.

Hoxha gjithashtu tregoi për një rast ku eksperti shqyrtues në OSHP, Hysni Muhadri i kishte shkuar në zyrë për ta pyetur në lidhje me formularët e dorëzuar nga “Conexi” dhe numrin e punëtorëve që kishte paraqitur kjo kompani në ata formularë.

“Unë i thash se të gjitha dokumentet valide i ke në dosje dhe po të isha unë në vendin tënd nuk do ta pyetja fare ATK-në, mirëpo nëse ti don, atëherë dërgoja një email ATK-së dhe merre konfirmimin nga ta”, tha Hoxha.

Pas kësaj bisede, i akuzuari Hoxha tha se atij i kishte ardhur një e-mail i shtypur fizikisht nga ATK, por i cili kishte qenë i palexueshëm për shkak të kualitetit të dobët, andaj tha se nuk e kishte marrë fare në konsideratë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Muhadri, avokati Taulant Hodaj, e pyeti Hoxhën nëse ky e-mail i palexueshëm që e përmendi në fjalën e tij, do t’u ishte dorëzuar panelit shqyrtues dhe do të ishte marrë në konsideratë, a do kishte ndikimin në vendimin përfundimtar, por Hoxha e përjashtoi një mundësi të tillë.

Seanca e radhës, ku pritet që mbrojtjen e tyre ta japin edhe dy të akuzuarit tjerë, Hysni Muhadri dhe Arsim Robelli, pritet të mbahet më 17 nëntor 2017, nga ora 14.00.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Hysni Hoxhën dhe Hysni Muhadrin për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e lartcekur e kishin kryer në qershor të vitit 2013, Hoxha në cilësi të kryetarit të OSHP-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së.

Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, pasi kompanisë së ndërtimit “Conex Group” me pronar Veton Fetahun, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.

Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, të njëjtët i kishte fshehur para dy panelistëve tjerë, të cilat kishin qenë të dhëna kruciale.

Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe kishte urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”. Lidhur me këtë, Muhadri, si ekspert i çështjes, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.

Në anën tjetër, aktakuza e ngarkon edhe Veton Fetahun, pronarin e “Conex Group” dhe Arsim Robellin, kontabilistin e kësaj kompanie. Këta akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka rezultuar me shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit në fjalë.

Po ashtu, Veton Fetahu ngarkohet me veprën penale “mashtrim”, e që sipas dispozitivit i njëjti ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para panelit në mënyrë që të fitoi tenderin.

Fetahu ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400