Ish-ushtruesit e detyrës përzgjidhen drejtorë në tetë klinika të QKUK-së

12:03 / E shtunë, 23 Qershor 2018

Shtatë nga tetë kandidatët për drejtorë të klinikave në QKUK, të cilët kanë qenë ushtrues detyre tashmë kanë marr mandatin tre vjeçar në pozitën e drejtorëve.

Kanë përfunduar procedurat për përzgjedhjen e drejtorëve edhe në tetë klinika të QKUK-së. Gazeta Shneta ka mësuar se shtatë nga tetë kandidatët që kanë qenë ushtrues detyre tanimë kanë marr mandatin tre vjeçar në pozitën e drejtorëve.

Komisioni në përbërje të Dr. Fakir Spahiu, Dr. Skender Kandic dhe Dr. Fatime Kokollari, kanë përzgjedhur Dr. Hajdin Thaqin në krye të Klinikës së ORL-së. Thaqi kishte fituar 56 pikë në testin me shkrim. Kirurgjinë Maksillo-Faciale do ta udhëheq Dr. Agron Bytyqi. Në testin me shkrim ai mori 79 pikë, ndërsa kishte edhe dy kundërkandidatë në intervistën me gojë, Shkelzen Komonin dhe Nijazi Hetën.

Dr. Tefik Bekteshi është zyrtarizuar në pozitën e drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive. Bekteshi e kaloi testin me shkrim i vetëm me 78 pikë. Klinikën e Kirurgjisë Torakale do ta udhëheq kirurgu Saudin Maliqi, i cili në testin me shkrim fitoi 71 pikë, duke lënë prapa kundërkandidatin e tij Fitim Selimi me 52 pikë, shkruan Gazeta Shneta.

Klinika e vetme ku është ndërruar udhëheqja është ajo e Pulmologjisë. Ish-ushtruesja e detyrës Dr. Iliriana Raça-Bunjaku nuk arriti të kalojë testin me shkrim duke marr vetëm 41 pikë. Testin e kaloi Dr. Rukije Mehmeti e cila u zyrtarizua në pozitën e drejtoreshës nga Komisioni Përzgjedhës pas intervistës me gojë.

Edhe ish-ushtruesi i detyrës së Klinikës së Psikiatrisë, Dr. Shaban Mecinaj, ka marr mandatin për të udhëhequr këtë njësi, pasi kaloi testin me më së shumti pikë, 68 sosh. Dr. Xhevdet Gojnovci poashtu ka marr pozitën e drejtorit në Klinikën e Neonatologjisë. Testin me shkrim ai e kaloi me 75 pikë. Dr. Gani Halilaj është përzgjedhur drejtor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, pasi kishte kaluar testin me shkrim duke marr 57 pikë.

Në këtë konkurs pritet të zgjidhen edhe drejtorët e Klinikës Infektive, Biokimisë dhe Fiziatrisë. Testim me shkrim është mbajtur, ndërsa pritet të zhvillohet edhe intervista me gojë. Ndërkaq konkursi për Klinikën e Neurologjisë do të përsëritet pasi asnjëri nga kandidatët nuk arriti ta kalojë testin me shkrim. Konkursi është përsëritur edhe në Nefrologji pasi nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm, ndërsa është pezulluar në Endokrinologji pas ankesës së një kandidateje.

Kujtojmë se është hapur konkursi edhe për tetë klinika tjera: Klinika e Gjinekologjisë, Neurokirurgjisë, Radiologjisë, Kirurgjisë së Fëmijëve, Ortopedisë, Emergjencës, Kardiologjisë dhe Anestezionit. Ndërsa gjatë muajit të kaluar SHSKUK ka përzgjedhur drejtorët për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare – Dr. Hajriz Rudari, Kirurgji Plastike – Dr. Zejnë Buja, Gastroenterologji – Dr. Zaim Gashi si dhe Dr. Drita Telaku në Pediatri. SHSKUK është në proces edhe të përzgjedhjes së drejtorëve të Spitaleve të Përgjithshme

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400