Ja sa kushtoi një autobus i ri që do të prezantohet sot

11:12 / E mërkure, 11 Janar 2017

Autobusët e rinj të ‘Trafikut urban’ të Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës, të cilët do të lëshohen sot në qarkullim kanë kushtuar sa ‘qimet e kokës’. Një sosh duke përfshirë ka kushtuar rreth 200 mijë euro.

Në emër të ‘Trafikut urban’, Komuna e Prishtinës mori nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH një kredi prej rreth 10 milionë euro.

Njëherë u mendua se 51 autobusët kushtuan 5 milionë e 922 mijë euro, aq sa doli të jetë oferta e kompanisë çeke ‘Iveko’. Por, Halil Mustafa, kryshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban” ka thënë për lajmi.net së e gjithë kredia është e dedikuar ekskluzivisht për blerjen e autobusëve, dhe se, sipas tij, aq ka qenë edhe oferta e kompanisë ‘Iveco’.

“Kredia prej 10 milionë eurove është ekskluzivisht vetëm për sjelljen e 51 autobusëve, pra nuk është për gjera të tjera.  Pra 10 milionë euro kanë kushtuar autobusët. Kaq ka qenë edhe oferta financiare e kompanisë “IVECO” . Në kuadër të kësaj shume është trajnimi, pjesët rezervë. Duhet të merren disa parametra. Kur është bërë vlerësimi, ‘Iveco’, ne na ka garantuar trajnimin e shoferëve, kemi dy vite garancion për autobusët. Pos gjerave tjera kemi pjesë rezervë. Ajo çka është shumë më rëndësi është se autobusët harxhojnë vetëm 26 litra në 100 kilometra, në krahasim me ofertat tjera që kanë qenë edhe mbi 40. Pra, ekskluzivisht, oferta më joshëse, më e mira ka qenë  e ‘Iveco””, ka thënë Mustafa.

Kryeshefi i ‘Trafiku urban’ nuk ka treguar direkt se sa ka kushtuar fiks një autobus, dhe nëse oferta prej 5 milionë e 922 eurove ishte e dedikuar vetëm makinerinë, pra për 51 autobusët pa përfshirë kushtet tjera të kontratës.

“Çështje e tenderimit ka shkuar nëpërmjet rregullave të BERZH-it, dhe kjo është e mira. Ne e dimë sa ka kushtuar një autobusë se faktuarën këtu e kemi, por kjo është shumë lehtë të nxirret 10 milionë pjestu për 51 autobusë”, tha Mustafa. Ndërkohë, sipas këtyre përllogaritjeve përfshirë edhe kushtet tjera të kontratës, del se një autobusë ka kushtuar rreth 196 mijë euro.

Deri më tani, Komuna  e Prishtinës ka qenë e mbyllur rreth tenderit dhe nuk e ka publikuar kontratën me ‘Iveco’, sikundër nuk është deklaruar qartë rreth eliminimit të ofertave tjera konkurruese për këtë tender.

Jo zyrtarisht nga Komuna e Prishtinës kishte dalë se për këtë tender kishin garuar katër kompani dhe se ‘Iveco’ kishte ofertë më të lartë se disa kompani tjera. Sipas atyre të dhënave kishte dalë se oferta e kompanisë “Iveco” ka qenë 5 milionë e 922 mijë euro. Ndërsa, oferta e City Transport Group LTD, ka qenë  4 milionë e 800 mijë euro. Kompania e cila ka ofertuar me çmimin e dytë më të ulët është kompania “Albimi Higer”, me 4 milionë e 900 mijë euro.

Me çmimin më të lartë ka qenë oferta e  “Solaris Bus & Coaxh S. A.”, me 6 milionë e 600 mijë euro.

Sipas njoftimit për kontratë, që Komuna e Prishtinës e ka bërë në ueb-faqen e vetë, thuhet se Furnizimi me Autobusë Dizel përfshin prokurimin e 30 autobusëve dizel me hyrje të ultë dhe në përputhje me standardin EURO VI, si edhe pjesët rezervë të detyrueshme dhe pjesët e materialit harxhues, me dorëzim opcional të 21 autobusëve tjerë shtesë me hyrje të ulët dhe sipas standardit EURO VI së bashku me pjesë rezervë të detyrueshme dhe të pjesëve të materialit harxhues.

Në komisionin vlerësues për këtë tender, kanë marrë pjesë, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, si kryesues i komisionit. Pastaj nga Komuna anëtarë kanë qenë Hebib Qorraj dhe Zekë Bardhaj, Kujtim Berbatovci nga “Trafiku Urban” si dhe  Agim Dedaj nga “Solaris Bus&Coach S.A”.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400