“Jemi shkatërruar komplet, djali më vdiq për një karikues, ç’më duhet jeta pa drejtësi?!”

08:21 / E premte, 25 Maj 2018

Djali i familjes Mihali ishte vetëm 22 vjeç dhe thuajse një vit më parë u vra nga bashkëmoshatarët e tij.

Shkaku?

Një karikues telefoni.

Tashmë prej thuajse një viti, familja e Marvi Mihalit nuk gjen dot paqe. Një pjesë e autorëve të krimit janë lënë të lirë nga gjykata dhe prindërit e 22 vjeçarit nuk gjejnë më dot qetësi në shpirtin e tyre.

I ftuar në “Të Paekspozuarit” në Top Channel, babai i Marvit, ish-sportisti i njohur Pavllo Mihali ka folur me dhimbje të madhe. I është drejtuar shpesh-herë prokurorit që të kujtojë fëmijët e tij dhe faktin se ai e ka të mundur t’i prekë ata, ndryshe nga çfarë ndodh në familjen Mihali prej një viti. Nëse nuk ka drejtësi ka thënë ish sportisti, atëherë atij nuk i duhet më jeta e kësisoj do të bëhet një shembull i padëgjuar më parë në Shqipëri.

“Nuk më shkonte kurrë në mendje që një prokuror si Artan Lulaj të ngjyente duart me gjakun e Marvit. I them këtij prokurori të shkosh në shtëpi dhe të përkëdhelësh fëmijët e tij. Të bëhesh palë me kriminelet, të rivrasësh sërish Marvin.

Ne jemi të shkatërruar komplet, na ka ndryshuar jeta totalisht. Dhimbja është e tmerrshme, çrenjëzore dhe çnjerëzore e bëjnë edhe këto vendime. Por unë besoj sërish në drejtësi.

Unë pres drejtësi nëse do të ketë edhe njerëz të mirë. Nëse ky shtet do të vendosë në krye njerëz të mirë. Mendoj se mbi të gjitha ne duhet të jemi njerëz, duhet të na dominojë zemra. Nëse do të realizohet kjo drejtësi, unë do të kem të drejtën të flas lartë në qiell me Mavrin. Nëse nuk realizohet, unë do të bëhem shembull në Shqipëri. Unë do të bëj vetëgjyqësi, mua nuk më duhet më jeta. Unë do të luftojë deri në ditën e fundit”, u shpreh babai i Marvit.

“Ata ngritën kurthin dhe deshën të vrasin. Si mund të vrasësh për një karikues, si mund të rrish me thika në mes të Tiranës. Kush janë ata!?”, thotë nëna e Marvit.

Për të ndjekur të plotë rrëfimin tronditës shikoni videon e mëposhtme:

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400