Kjo është ligjërata e Lladrovcit që e mbajti në Grac të Austrisë

09:30 / E enjte, 14 Shtator 2017

 

 

Në fund të vizitës së tij të ngjeshur në Austri, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mbajti një fjalim para studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Gracit. Pas një fjalimi, Lladrovci bashkëbisedoi me studentë dhe profesorë nga Kosova në sallën e ligjëratave në Universitetin e Gracit.
Studentët ishin të interesuar të dinë se çfarë është diskutuar dhe dakorduar me kryetarët e dy komunave, që ka pasur takim Lladrovci, ata po ashtu deshën të dinë dhe për takimet që ka pasur kryetari me biznesmenë dhe drejtues të firmave të rëndësishme. Gjithashtu studentët, por edhe të pranishmit të tjerë u interesuan konkretisht edhe për arsimin në Drenas, kontaktet me shtetet perëndimore, si dhe kërkuan të informohen se çfarë konkretisht është diskutuar dhe planifikuar për bashkëpunimin e shkollave austriake me ato të Drenasit.

Studentët i shtruan edhe disa pyetje sa i përket ambientit, shërbimeve komunale për qytetarët dhe mërgimtarët. Nga ana e tij, Kryetari Lladrovci tregoi për pritjen e shumë miqësore që ka pasur me kryetarin, nënkryetaren dhe njëkohësisht ombudspersone e Ëeizit për të drejtat e grave, me kryetarin dhe bashkëpunëtorët e Gleisdorfit, të cilët i kanë ofruar komunës së Drenasit bashkëpunim në të gjitha fushat e mundshme. Ai foli për secilën fushë veç e veç për të cilat ka diskutuar me të dy kryetarët.

Kryetari Lladrovci tregoi se është ndarë shumë i kënaqur me takime shumë të rëndësishme dhe frytdhënëse në disa qytete të Austrisë. Edhe kryetarët e qyteteve nga Austria, menjëherë publikisht dhe zyrtarisht kanë konfirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, gjë që u ri konfirmua edhe aty në sallë nga njëri bashkëpunëtor i kryetarit të Gleisdorfit.
Më pas Lladrovci foli për qeverisjen në Drenas se si gjatë këtij viti, ai tha se janë arritur shumë suksese, sa u përket shërbimeve komunale, infrastrukturës rrugore, arsimit, ekonomisë, ambientit. Për shërbimet komunale kryetari Lladrovci tregoi shembuj konkret të efikasitetit shumë të lartë, gjë të cilën e pohuan edhe studentët dhe bashkëpjesëmarrësit në këtë bashkëbisedim, disa nga ta pohuan se gjatë pushimeve të këtij viti kanë marr shërbime nga komuna e Drenasit.

Sa i përket mbrojtjes së ambientit, ai përmendi faktin se me marrjen e postit ka pasur 137 deponi ilegale të mbeturinave në tërë komunën e Drenasit, e të cilat me përkrahjen e kompanive vendore i ka eliminuar deri tani rreth 50 %. Po ashtu edhe rregullimin e kanalizimeve për ujërat e zeza. Ai gjithashtu përmendi edhe faktin që në lokalet në Drenas është duke u zbatuar ligji për mos pirjen e duhanit.

Për arsimin kryetari Lladrovci tha se dy shkolla në Drenas kanë bashkëpunim të drejtpërdrejt me shkolla gjermane dhe finlandeze. Ai para studentëve dhe profesorëve, por edhe të pranishmëve të tjerë përmendi mbajtjen e mësimit në distancë me nxënës dhe profesorë finlandezë, shkëmbimin e nxënësve dhe mësimdhënësve me Gjermani dhe Finlandë, disiplinën në punë.

Të pranishmit e falënderuan kryetarin Lladrovci, për këto kontakte dhe bashkëpunime kaq të rëndësishme me këto dy vende elite sa i përket arsimit, dhe premtuan se edhe ata personalisht do të angazhohen që të krijohen kontakte me shkollat nga Austria.  Në fund të takimit të pranishmit kërkuan nga Lladrovci,  se çfarë konkretisht ofron komuna e Drenasit për investitorët shqiptarë që jetojnë në Austri, dhe se çfarë mund të ju thonë ata investitorëve austriak për të investuar në Drenas.

Lladrovci qe i prerë në zotimet e tij, se Parku i Ri i Biznesit do të jetë mjaftë atraktiv për ndërtimin e firmave, apo dhe fabrikave të ndryshme, gjë që është pohuar edhe nga kryetarët dhe disa biznesmenë austriak, se taksat komunale janë tepër të ulëta, me infrastrukturë shumë të mirë, dhe se u zotua se asnjë nga investitorët nuk do të kenë as më të voglën pengesë, por vetëm përkrahje nga komuna e Drenasit. Më pas studentët i thanë Lladrovcit, se secili studentë nga komuna e Drenasit, që dëshiron të studioi në Grac do ta kenë mbështetjen e grupit të studentëve të Kosovës që studiojnë në Grac e që sipas tyre janë ndër grupet më të organizuara të studentëve. Pas takimit me student, biznesmeni shqiptarë i cili jeton dhe vepron në Grac, Fadil Mulaj nga Komuna e Drenasit ka shtruar një dark me bashkëpunëtorë për nder të vizitës së kryetarit ku morën pjesë mbi 40 vetë biznesmen e bashkatdhetar që jetojnë e veprojnë e veprojnë në Grac të Austrisë dhe rrethinë.

Ky është fjalimi i kryetarit Lladrovci në Universitetin e Gracit

Të nderuar studentë, profesorë, aktivistë e veteranë,
Më lejoni të shprehë kënaqësinë që jam bashkë me juve, për të bashkëbiseduar.
E di, se si është të jesh larg atdheut.
E kam provuar, me familjen time, vëllain tim dhe kunatën. Ashtu sikur Ju, e kam kuptuar se Kosova mundet pa mua, por unë, nuk kam mundur pa Kosovën.
Ju, me arsimimin Tuaj, do të keni edhe më shumë nevojë për vendin ngase, e hetoni thirrjen e tokës Tuaj që ta bëni sa më të përparuar, më frytdhënëse.
Me rrugë më të mira, çerdhe më të mira, mësues e profesor më të mirë, inxhinier e arkitekt më të mirë, këtë rrahje të zemrës suaj, duhet ta ndjeni apo tashmë e keni ndjerë.
Andaj, në mesin Tuaj, është shpirti i vendit Tuaj, thirrja për ta bërë Drenasin dhe komunat tjera të Kosovës, ashtu, sikur Graci, ku merrni përvojat më të mira, mësimet më të mira dhe synimet tuaja fisnike për atdheun Tonë.
Të bashkëbisedoj me studentë është përherë ndjesi e veçantë, por unë jam i lumtur që jam sot me juve, për faktin se ju jeni pasqyra më e mirë e vendit prej nga vini, jeni ambasadorët më të mirë të Kosovës, të kombit shqiptar.
Ju duhet të mos e harroni se sa e gjatë dhe e mundimshme ka qenë rruga jonë drejtë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Të nderuar studentë,
Me ndërrimin e rrethanave, ndërrojnë edhe sfidat, dhe ne tani kemi sfidë forcimin dhe konsolidimin e Kosovës, dhe të institucioneve sa më të mira.
Në këtë drejtim ne po punojmë që Komuna e Drenasit të udhëhiqet nga parimi i sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
Po ashtu kam ofruar shembullin se si udhëhiqet Komuna me 50 % gra udhëheqëse të drejtorive komunale, u kam dhënë hapësirë kuadrove të reja, dua të them se jam i kënaqur me punën, përkushtimin dhe rezultatet e deritashme dhe shpresoj që ky model qeverisës do të vazhdohet edhe në të ardhmen në Komunën e Drenasit dhe do të merret shembull nga komunat tjera.
Zbatimi në plotëni i ligjit është sfida kryesore e Komunës së Drenasit dhe e Kosovës, ne e kemi kuptuar mirë këtë gjë, dhe po punojmë fuqishëm në këtë drejtim.
Po ashtu është rritë efikasiteti i Komunës tonë në drejtim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Komunës që udhëheq.
Sfida e ndërtimit të vendit është obligim i të gjithë neve, Komuna jonë ka nevojë për juve, Kosova ka nevojë për juve dhe përvojën Tuaj.
Dyert e komunës së Drenasit, besoj fuqishëm edhe të Kosovës do të jenë të hapura për juve, ne kemi nevojë për profesionalizmin tuaj, dijen Tuaj, edukatën dhe arsimin që keni marrë këtu.
Besoj, se edhe ju jeni krenar me paraardhësit tuaj student këtu, po përmendi vetëm Eqrem Çabejn i cili, iu kthye atdheut dhe njihet si gjuhëtari më i madh dhe dijetari më i shquar për albanologjinë. Shkolla austriake e kaliti në shkencëtar të vërtetë.

Të nderuar,
Po flas pak për Drenasin!
Ne, në Drenas po ndërtojmë parkun e ri të biznesit prej 62 hektarësh, mirëpresim investitorë, ju jeni lidhja e parë me ata.
Ne kemi nevojë për shumëçka, mbrojtje të ambientit, për ujitjen e tokave, për prodhimet vendore të bujqësisë organike aq të çmuara këtu.
Ju presim që të gjitha këto t’i bëni në vendin Tuaj. Ju ftoj të vini në Drenas dhe të shihni potencialin tonë.
Më shumë se kurrë, kemi nevojë për shkencën, për dijen dhe eksperiencën Tuaj.
Jeni të mirëseardhur në Drenas, sepse na duhet zhvillimi me mundësitë e djemve dhe vajzave tona që marrin shkollime të shkëlqyera, si këtu në Grac.
Ju jeni pjesë e suksesit të lirisë sonë, ju jeni burimi më i rëndësishëm i zhvillimit tonë dhe shpresës për të tashmen dhe të ardhmen.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400