Konkurroi 200 herë për një vend pune

20:20 / E martë, 17 Prill 2018

 

Njëjtë sikur sot, edhe në vitin 1984 ishte shumë vështirë të gjendej punë. Personazh i Gazetës Rilindja të po këtij viti, ishte Zeqir Krasniqi i cili kishte konkurruar në hiç më pak se 200 vende pune.
Edhe pse me profesion ishte teknik i bujqësisë, 23 vjeçari nga Makovci i Prishtinës thoshte se do të punonte çfarëdo pune.

“Ky 23 vjeçar është ndër 6332 të papunë me shkollë të mesme, e njëri nga 258 teknikët e bujqësisë, që presin punë pranë BVI-së Komunale të Punësisë. Kjo, në kohën kur papunësia po bëhet problem çdo herë më i madh, ndoshta edhe nuk do ta zgjonte kërshërinë tonë, sikur Zeqiri prej vitit 1978 e deri më sot të mos kishte konkurruar në më se 200 vende të punës dhe nga to të merrte edhe po aq refuzime”.

Zeqiri kishte aplikuar në shumë vende pune, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

Ai kishte kërkuar punë si pastrues, korrier, portier, punëtor fizik, konduktor, shitës, rrojtar dhe gjithçka tjetër.

“Punë nuk zgjidhte madje as në aspektin territorial, ngase si punëtor krahu për një çikëz mëditjeje punoi edhe në Knjezhevc, në Ulqin e gjetkë. Por, vetëm si punëtor stinor, e në pjesën tjetër të vitit mbahej me 8 anëtarët e tjerë të familjes me vetëm 6.800 dinarë të ardhura personale sa i merr i ati i tij, Musli Krasniqi, punëtor fizik në KNI “Ramiz Sadiku”. Pasuri tjetër nuk kanë, përveç një strehë 20 katrorëshe në Makovc, të cilën e dëshmon edhe certifikata mbi gjendjen e pasurisë”.

Rilindja shkruante se rasti i teknikut të bujqësisë nuk ishte i vetmi. Konkurrimi i Zeqirit në 200 vende tregonte se ato punë që dikur nuk ishin tërheqëse, në vitin 1984 u bënë të paarritshme.

E të tillë kishte plot. Ata nuk e zgjedhnin punën, por punë nuk kishte.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400