Kosova e varfër sa i përket energjisë elektrike

17:26 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Njohës të fushës së energjetikës në Kosovë konsiderojnë se pavarësisht nevojës së madhe për burime alternative të energjisë, Kosova nuk ka kapacitete që të zëvendësojë prodhimin e energjisë nga thëngjilli në resurse të ripërtëritshme si era, rrezet e diellit, uji e të tjera.

Energjia e ripërtërishme synon të jetë sa me e pastër dhe sa me pak e dëmshme për mjedisin jetësor, thonë njohësit e fushës.

Por, Kosova vazhdon të jetë e varur nga thëngjilli, me të cilin është jashtëzakonisht e pasur, megjthëse ambientalistët kanë tërhequr shumë herë vërejtjen për dëmtimin jo vetëm të natyrës, por edhe të shëndetit të njeriut.

Agron Dida, njohës i fushës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk ka mundësi që të sigurojë kapacitete të mjaftueshme të energjisë nga uji dhe era, për shkak të pozitës gjeografike të vendit.

E vetmja zgjidhja sipas tij, mund të jetë energjia e diellit, që mund të instalohet nëpër shtëpi në mënyrë individuale, por që ky investim është shumë i shtrenjtë. Madje, për këto burime energjetike, ai thotë se autoritetet kompetente nuk kanë krijuar bazë ligjore.

“Në Kosovë ka disa hidrocentrale, por është sasi e vogël, është e neglizhueshme. Rreth 3-4 për qind e energjisë se prodhuar realizohet nga hidrocentralet. Kosova nuk ka ujë, pasi këtu vetëm burojnë lumenjtë dhe dalin jashtë. Energjia e prodhuar nga era, po ashtu nuk mund të llogaritet, sepse në Kosovë nuk ka erëra të fuqishme, në përjashtim në disa maje të larta, ku investimi është shumë i shtrenjtë”.

Por, ndryshe mendojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre më një angazhim më të madh të institucioneve kompetente në këtë fushë, mund të sigurohet një përqindje e furnizimit të energjisë më burime të ri-përtritshme.

Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë për Energji (KOSID), ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se konsumin final të energjisë Kosova duhet ta ketë 25 për qind prej burimeve të ripërtritshme.

Kjo përqindje paraqitet në objektivat afatgjate që institucionet kompetente duhet të arrijnë deri në vitin 2020, si detyrim nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, ku Kosova është anëtare.

“Tani kemi hapa shumë të ngadalshëm, mirëpo burimet dhe kapacitetet ekzistojnë. Zbatimi apo vënia në jetë po shkon më hapa shumë të ngadalshëm. Ky 25 për qindësh ende nuk është arritur dhe nëse shkojmë me këta hapa, vështirë se do të mund të arrijmë këto obligime që kemi marrë në kuadër të Traktatit të Komunitet të Energjisë. Vlerësohet se Kosova ka kapacitet për erë, për burime hidrike të energjisë elektrike”, thotë ajo

Aktualisht 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike varet nga prodhimii thëngjillit. Kosova vlerësohet në një ndër vendet më të pasura në botë më linjit. Prodhimi mesatar i thëngjillit, në Korporatën Energjetike të Kosovës, është rreth 8 milion tonë në vit.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, duke mos mohuar rëndësinë e energjisë alternative, thotë se Kosova në rend të parë duhet të sigurojë kapacitet për prodhim të energjisë nga linjiti, pastaj të shikohen mundësitë për energji alternative.

Sipas tij, Kosova është e varfër të varet nga burimet e energjisë së ripërtëritshme.

“Unë nuk njoh asnjë vend të botës që ndërton sektorin e energjisë me energji alternative. Kosova fatkeqësisht, në bazë të shumë studimeve që janë bërë deri më sot, është e varfër në këtë aspekt. Për arsye se ka mungesë të theksuar të ujit, nuk ka lumenj, nuk ka hapësira për të ndërtuar hidrocentrale, në përjashtim të disa pikave potenciale”.

“Sa i përket erës është një studim, dhe nuk ka ndonjë potencial të mundshëm. Kurse sa i përket energjisë diellore, ne jemi vend bujqësor dhe hapësira jonë është e pamjaftueshme që të ndërtojmë elektrana apo panele solare”.

Ndryshe, burimet e Ripërtëritshme të Energjisë përbëjnë një komponentë të rëndësishme të sektorit të energjisë në Kosovë. Ato trajtohen edhe me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2009-2018.

Në këtë strategji thuhet se rritja e prodhimit të burimeve të ripërtëritshme bazohet në ndërtimin e kapaciteteve të vogla dhe të mëdha të ujit dhe furnizimit me erë.

Ndërkaq, në bazë të një studimi të mëhershme të institucioneve vendore, janë identifikuar 77 lokacione ku mund të ndërtohen hidrocentrale, që mund të prodhojnë sasi të vogël të energjisë elektrike.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400