Kosova po e lufton serioznisht ekstremizmin e dhunshëm

23:25 / E shtunë, 26 Maj 2018

 

Kosova ka bërë përparim të madh në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, madje me theks të veçantë u përmend ky fakt sot në Tiranë nga presidenti i OSBE-së, George Tresentel në konferencën “Ekstremizmi i dhunshëm dhe kthimi i luftëtarëve të huaj”.

Presidenti i OSBE-së, Tresentel lavdëroi punën e shteteve që kanë bërë punë të madhe në luftën kundër terrorizmit.

“Do të doja të jepja disa komplimente për partnerët që janë në këtë dhomë për marrjen e masave të tyre për ekstremizmin e dhunshëm, pasi kanë bërë një legjislacion të ri që e kanë ndaluar mbështetjen financiare të organizatave terroriste jashtë e brenda, kjo është një masë mjaft e rëndësishme, por edhe në Kosovë një tjetër program është duke u luftuar ekstremizmi i dhunshëm, duke i identifikuar ata të cilët kanë prirje drejt radikalizmit dhe ndërhyjnë në të që në fillim”, tha ai.

Këtë fakt e ka përmendur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili derisa mori fjalën në këtë panel, tha se institucionet e Kosovës janë të pakompromis ndaj fenomeneve të tilla.

“Aleat kryesor kemi rininë, rinia është shumë perëndimore, është në masën absolute kundër fenomeneve të tilla. Të njëjtën kohë edhe roli i bashkësive fetare është shumë pozitiv, ato luajnë rol pozitiv në parandalim dhe trajtim. Por me lejoni të theksoj se institucionet tona janë aktive dhe të pakompromis në luftën kundër fenomeneve të tilla. Po ashtu, jemi vendi ndoshta i parë dhe i vetëm që kemi trajtuar edhe imamët, diku 12 veta kemi arrestuar në momentin që kemi vërejtur involvim të tyre, qoftë edhe predikimeve që kanë bërë më tepër se sa lejohet kur ka nxitje të urrejtjes dhe konflikteve të armatosura, terroriste do të thosha drejtpërdrejtë”, tha Veseli.

Për kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ky fenomen është një sfidë por që sipas tij me një dialog dhe një bashkëpunim të mbrohen nga ky fenomen.

“Kjo është sfidë reale dhe ekziston në çdo subjekt shoqëror dhe shtetëror. Besoj se si shtete të përgjegjshme dhe politikan të përgjegjshëm e kemi patjetër që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të mbrohemi nga çdo formë e ekstremizmit radikal, por njëkohësisht t’iu ndihmojmë këtyre njerëzve të cilët për arsye të ndryshme janë larguar nga rruga e drejt, që të kthehen përsëri në drejtimin e duhur të paqes dhe tolerancës”, u shpreh Xhaferi.

Sandër Lleshi, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, paraqiti të dhëna lidhur me numrin e shqiptarëve që kanë shkuar në Siri.

“Sipas të dhënave tona 79 meshkuj të shoqëruar nga 27 gra dhe 38 fëmijë kanë udhëtuar në Siri që nga koha kur ka shpërthyer lufta. 26 shtetas shqiptarë kanë humbur jetën në konfliktin në Siri, kjo është shqetësuese”, tha Lleshi.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Serbia por edhe nga shtetet tjera.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400