Kryeprokurori i Shtetit konfirmon se e gjithë dosja e Astrit Deharit ka shkuar në Zvicër

15:02 / E shtunë, 26 Maj 2018

Rasti i ish- aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, që ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, tashmë është dërguar për superekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ishin dakorduar familja dhe kishte pranuar shteti. Dërgimin e këtij rasti në autoritetet e Zvicrës e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi. Vetëvendosje ka insistuar se Dehari nuk ishte vetëvrarë ashtu siç e nxori mjekësia ligjore kosovare.

Shteti e ka plotësuar kërkesën e familjes Dehari e cila në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për vdekjen e djalit të tyre ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.

Prindërit e ish- aktivistit të Vetëvendosje nuk u besuan institucioneve të vendit për shkaqet e vdekjes së Astritit duke kërkuar kështu hetime ndërkombëtare  shkruan GazetaExpress.

Tash, shteti ka shkuar një hap më tej.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi e ka konfirmuar për Gazetën Express se janë dërguar të gjitha informatat e rëndësishme tek autoritete e Zvicrës.

“ Po, i kemi dërguar të gjitha informatat relevante për procedurën penale dhe të dhënat mjekësorë autoriteteve zvicerane për t’u proceduar në institucionin profesional për ekzaminimin e nevojshëm”, është shprehur ai.

Ndërkaq ka bërë të ditur se janë duke e pritur raportin dhe konstatimin e ekspertëve zviceran. Lumezi nuk ka treguar se sa do të jetë periudha që do të zgjas për këtë ekzaminim.

Astrit Dehari, një aktivist i Vetëvendosjes, vdiq më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në Kuvend në gushtin e 2016-ës.

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet për rastin Dehari, ndër të cilat “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.

Familja Dehari në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze. Për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit janë bërë vazhdimisht protesta.

Kujtojmë se në vitin 2016 kishte ndodhur një shpërthim rreth orës 23:00, te objekti i Kuvendit të Kosovës.

Ky shpërthim ndodhi në ditën kur Qeveria e kishte proceduar në Kuvend projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi.

Ndërkaq, katër aktivistët e VV’së të dënuar për sulmin ndaj Kuvendit, pritet të rigjykohen për sulmin me zollë në 4 gushtin e vitit 2016. Gjykata e Apelit ka kthyer rastin në piken zero, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që dënoi aktivistet me 21 vite e gjysmë burgim.

Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti të hënën janë liruar nga paraburgimi. Të tre këta të dënuar për terrorizëm, së bashku me Adea Batushen, do të rigjykohen për hedhje me zollë të Kuvendit të Kosovës, gati dy vite më parë.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400