Lëvizja për Bashkim, qysh para fillimit të bisedimeve me Serbinë e ka theksuar nevojën e një qasjeje serioze për këtë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën. Madje, se si duhet t’i qasemi këtyre bisedimeve subjekteve tjera politike ua ka ofruar edhe platformën e shkruar qysh në vitin 2010, në të cilën parashtrohen çështjet që duhet të bisedohen dhe parimi që duhet të aplikohet. Të kërkosh ndërprerjen e bisedimeve për shkak të urdhërarresteve të Serbisë është vazhdimësi e një qasjeje joserioze për një çështje kaq serioze!  Bisedimet duhet të riformatohen, jo për shkak të një liste, por për shkak se si të tilla nuk i kanë shtruar për zgjidhje çështjet e mbetura me Serbinë, moszgjidhja e të cilave prodhon çdo ditë probleme të tilla të fragmentuara.

Ne, si Lëvizje për Bashkim, edhe një herë i ftojmë të gjitha forcat politike që të ulemi dhe të arrijmë një konsensus për çështjet kryesore kombëtare, duke përfshirë edhe çështjen e bisedimeve me Serbinë. Në të kundërtën, gjithmonë do të vazhdojmë të merremi me pasojat e moszgjidhjes së drejtë të tyre, pa arritur ndonjë rezultat në këtë drejtim”, ka shkruar ky subjekt.