Loja e Serbisë me Interpol-in: Arrestimi i Haradinajt në Francë (Përmbledhje)

23:38 / E enjte, 05 Janar 2017

 

Drejtësia franceze ka urdhëruar të enjten mbajtjen në paraburgim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritje të një kërkesë ekstradimi nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte në një rast që ka tendosur marrëdhëniet tashmë të brishta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Një gjykatë në Kolmar, në lindje të Francës, më 5 janar, ka urdhëruar që Haradinaj – ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë – të mbahet në paraburgim, dhe jo të lirohet dhe të mbahet nën vëzhgim, pas arrestimit të tij nga policia franceze të mërkurën.

Partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se vendimi për ta mbajtur atë në paraburgim është “i papranueshëm”, duke i bërë jehonë reagimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit në Prishtinë.

Serbia akuzon Haradinajn, i cili ka shërbyer si kryeministër i vendit gjatë viteve 2004 dhe 2005, se gjoja ka kryer krime të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, që i parapriu pavarësimit të vendit nga Serbia.

Arrestimi i tij, me të mbërritur në një aeroport në pjesën lindore të Francës, pas një fluturimi nga Prishtina, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë, ku Qeveria i ka quajtur akuzat serbe “të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook se arrestimi i Haradinajt “është i papranueshëm në çdo mënyrë”, dhe se Qeveria është duke i përdorur “të gjithë mekanizmat në dispozicion” për të siguruar lirimin e tij.

Duke folur para gazetarëve në Beograd, para vendimit të gjykatës franceze për mbajtjen e Haradinajt në paraburgim, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se Serbia do të vazhdojë të bëjë trysni për ekstradimin e Haradinajt, duke thënë se prokurorët “kanë prova të shumta” kundër tij.

“Ai akuzohet për aq shumë krime, saqë është e pamundur të listohen ato”, ka thënë Vuçiq.

Haradinaj është gjykuar dy herë për krime lufte në një gjykatë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë, Holandë, dhe është shpallur i pafajshëm në të dyja rastet.

Në qershorin e 2015’s, ai ishte arrestuar në Slloveni, në bazë të një fletarrestimi nga Serbia, por ishte liruar dy ditë më vonë, si rezultat i trysnisë diplomatike.

Ngjarja me Haradinajn ka nxitur thirrje nga disa zyrtarë dhe politikanë në Kosovë për të ndërprerë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Për dallim nga Franca dhe shumica e shteteve të tjera evropiane, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ende.

Normalizimi i marrëdhënieve bileterale konsiderohet parakusht për Serbinë dhe Kosovën që të anëtarësohen në BE – synim ky i që të dy vendeve.

Por, marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE’ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për përmirësimin dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ka rezultuar jo aq e suksesshme.

Edita Tahiri, ministre për Dialog e Kosovës në bisedimet me Beogradin, ka kërkuar që Prishtina të godasë Serbinë me masa reciproke, në reagim ndaj fletarrestimeve që ajo ka lëshuar kundër qytetarëve të Kosovës.

“Përderisa shteti serb i trajton në këtë mënyrë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë luftuar për lirinë e vendit, kjo lloj sjelljeje duhet të adresohet me një reagim adekuat nga ana jonë”, ka thënë Tahiri.

Reuters ka cituar një burim të sigurisë në Prishtinë se rreth 20 qytetarë të Kosovës janë aktualisht subjekt i fletarrestimeve të Interpolit. Shumica e këtyre individëve kanë qenë pjesëtarë të UÇK’së, e cila ka luftuar kundër forcave serbe në luftën e Kosovës, ka treguar ky burim.

Tahiri ka thënë se i ka kërkuar BE’së të ushtrojë ndikimin e saj ndaj Serbisë, në mënyrë që të shfuqizohen këto fletarrestime.

Autoritetet kosovare të enjten i kanë refuzuar lejen presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, për të vizituar një qytet në Kosovë, ku shumica e banorëve janë serbë etnikë, për të shënuar Krishtlindjet ortodokse. Qeveria e Kosovës ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se Nikolliq nuk e ka bërë me kohë kërkesën e tij për vizitë.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400