Maqedonia me tone të ashpra kritikon Shqipërinë dhe Kosovën

13:55 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, vlerëson se është e pahijshme dhe e papërshtatshme që Shqipëria dhe Kosova të përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë.
 

“Nuk është e hijshme, por as e përshtatshme, kur kryeministri ose kryetari i shtetit fqinj drejtpërdrejt përzihen në punët e brendshme, veçmas jo në periudhë pas zbatimit të zgjedhjeve në mënyrë demokratike dhe përpara formimit të Qeverisë. Po dërgohen sinjale të gabuara në rajon. Gjithsesi se është e rrezikshme kjo qasje në një vend me traditë multikulturore. Shumë larg është nga praktika e fqinjësisë së mirë. Nëse të gjithë kemi pajtueshmëri se ardhmëria jonë është në Evropë, atëherë lufta është që të sigurojmë stabilitet, paqe, drejtësi dhe prosperitet ekonomik për të gjithë qytetarët. Gjithmonë kemi qenë plotësisht korrekt në bashkëpunim me fqinjët. Më së miri do të jetë që edhe ato të na bashkohen në këtë rrugë, në vend që të vendosin mina të cilat sjellin rrezik për të gjithë”, ka thënë ministri i MPJ-së, Poposki.

Përndryshe, ky reagim vjen, pas Platformës së përbashkët të partive shqiptare BDI, Lëvizjes BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e cila ka dalë nga takimet me krerët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Paraprakisht, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se Tirana nuk lidhet me asnjë rast me skenarët e mundshëm për krijimin e Qeverisë në Maqedoni.

“Për herë të parë që nga Marrëveshja e Ohrit, partitë Parlamentare shqiptare dalin mbi dasitë e tyre ideologjike dhe bien dakord për një listë çështjesh, të cilat natyrisht do të duhet që të afatizohen, do të duhet që të detajohen për të rishikuar më pas edhe mënyrën sesi ato çështje do të zbatohen në praktikë. Në këndvështrimin tonë, partitë shqiptare në Maqedoni kanë rënë dakord për të mbështetur njëra-tjetrën sa i përket zbatimit të këtyre çështjeve, apo mënyrës sesi do të zbatohen këto çështje, por nuk kanë rënë dakord dhe është krejt e natyrshme, për t’u bërë bashkë në një parti”, tha ministri Bushati.

Sa i përket zbatimit të platformës së nënshkruar nga partitë shqiptare, Bushati thekson se ky është momenti i duhur që ata të bëheshin bashkë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një publikimi në Twitter ka përshëndetur platformën e përbashkët.

“Hap historik shprehja e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni: Të drejtat e shqiptarëve s’negociohen për karrige qeverie” ka shkrua Rama.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përgëzuar liderët e partive shqiptare në Maqedoni për bashkimin e tyre rreth një platforme, e cila siguron se do të punohet edhe më fuqishëm për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

Thaçi, përmes një postimi në “Facebook“, ka thënë se “Me këtë bashkim ata dëshmuan se interesat kombëtare dhe shtetërore janë më të larta se ato individuale dhe partiake”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400