Marrëveshja e brendshme kosovare

14:10 / E enjte, 14 Qershor 2018
Është momenti i fundit për ta bërë këtë Marrëveshjen tonë të brendshme për kapitullin konkludues të bisedimeve me Serbinë.
Një çerek shekulli kohë, një mori problemesh politike dhe ekonomike, tension i vazhdueshëm diplomatik, ngecje e madhe në perspektivën evro-atlantike, të gjitha këto elemente iu qepën shtetit të Maqedonisë, që nga pavarësimi i tij, në vitin 1992, e deri më sot. Të gjitha këto ishin pasoja të një kontesti për emrin e këtij shteti, në relacionet në mes të Athinës dhe Shkupit. Megjithatë, lajmet e ditëve të fundit duket që do t’i dhënë fund gjithë këtij rrëfimi klasik ballkanik, që i kontribonte në mënyrë sinjifkative potencialit destabilizues të kësaj ane të Evropës.
Nuk mund të llogaritej që Maqedonia mund ta sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë si shtet, pa e zgjidhur këtë mosmarrëveshje me Greqinë, sepse nuk mund të bëhej dot as anëtar i Paktit NATO, dhe as i BE-së. Maqedonia do të bëhej qysh në vitin 2009 anëtar i Aleancës Veri-Atlantike, po ta kishte të kryer punën e emrit me Greqinë.
Republika e Maqedonisë së Veriut, propozim ky që përndryshe ka poaq ‘moshë’ sa edhe vet ky kontest midis Shkupit dhe Athinës, do të jetë thelbi i Marrëveshjes për emër në mes të dy shteteve fqinje. Natyrisht, te dy Qeveritë kanë ende punë për të bërë për ta rrumbullakësuar këtë ndërmarrje të përbashkët politike dhe diplomatike. Me siguri që do të ketë rezistencë të brendshme në te dy anët, por ka gjasa reale që Maqedonia t’i shmanget statusit të qenit peng i një relacioni shumë problematik me Greqinë. Për një vit, ajo mund të hyjë në Paktin NATO, e pastaj, pas një decenie, edhe në BE.
Veçmas ky segmenti i sigurisë për Maqedoninë dhe rajonin ka peshë shumë të veçantë.
Pra, në vitin 2019, do të bëhen tri shtete fqinje të Kosovës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, që janë në Aleancën Veri-Atlantike, ndërsa në Kosovë KFOR-i  (NATO), do të qëndrojë tutje. Nuk ka garancë më të madhe për stabilitetin e këtyre katër shteteve.
Sidoqoftë, ky lajmi i mirë i këtyre ditëve që konfirmon Marrëveshjen në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, me gjasë, hapë dyertë për lajme të tjera aq shumë të pritura për stabilizimin afatgjatë të këtyre anëve të Evropës. Kryelajmi në këtë aspekt, me siguri do të mund të ishte ai për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Poqëse do të bëhet kjo Marrëveshje, shikuar nga një perspektivë historike, për herë të parë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor, ky rajon do të mund të klasifikohej si një hapësirë e qëndrueshme, e qetë, stabile e Evropës. Rasti i Bosnjës dhe Hercegovinës do të mbetej tutje storie e ndërlikuar, por me një kapacitet dukshëm të zvogëluar për të shkaktuar telashe rajonale. Dihet pse.
Sipas të gjitha gjasave, dialogu në nivelin politik në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, do të vazhdojë në fund të qershorit. Tash e tutje, kryetema e këtyre bisedimeve pritet të jetë përmbajtja e Marrëveshjes historike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pak a shumë dihet afati kohor për ta bërë këtë Marrëveshje, deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Nuk është vështirë të numërohen elementet kyç të saj, të cilat, në tërësinë e tyre, do të duhej të mundësonin që Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, të hynë në kapitullin e paparë dhe të papërjetuar ndonjëherë, të marrëdhënieve normale, të cilat gjithsesi nënkuptojnë edhe fqinjësinë e mirë në mes të këtyre dy shteteve.
Teksa në rastin e Maqedonisë, ajo e vetma ka qenë penge e Greqisë dhe e kontestit rreth emrit (Greqia nuk ka vuajtur kurfarë pasojash për këtë lëmsh politik dhe diplomatik), kur bëhet fjalë për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, situata shquhet me lidhmërinë dhe varëshmërinë e shumëfishtë: As Kosova dhe as Serbia nuk kanë gjasa të mbërrijnë tek stabiliteti afatgjatë vendorë dhe ndërkombëtarë, nëse nuk e bëjnë këtë Marrëveshje.
Natyrisht, në rastin tonë, siç po kuptohet përditë e më shumë, do ta kemi shumë vështirë, në mos edhe të pamundur, të bisedojmë me gjithë potencialin politik dhe diplomatik që kemi, nëse së pari nuk do të mirremi vesh në mes vetes se si duhet të organizohemi për këtë fazën finale të bisedimeve me Serbinë, që kanë nisur në atë formën e parë pikërisht një çerek shekulli më parë.
Është momenti i fundit për ta bërë këtë Marrëveshjen tonë të brendshme për kapitullin konkludues të bisedimeve me Serbinë

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400