‘Mbetjet mortore në Gjakovë mund të jenë të serbëve të vrarë gjatë luftës’

20:16 / E premte, 20 Prill 2018

 

Mbetjet mortore të të paktën tre personave janë gjetur në një lokacion të shënjuar për varrezë masive në dalje të Gjakovës, afër ish-ndërmarrjes “Metaliku”.
Kohavisioni ka marrë vesh se dyshohet se në atë vend janë varrosur serbët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga ekspertët e EULEX’it, të cilët në bashkëpunim me ekspertët kosovarë ka ditë që kanë rifilluar gërmimet në këtë zonë.

Kryesuesja e departamentit të Mjekësisë Ligjore nga EULEX’i, Tarja Formisto, i ka thënë KTV’së se deri më tash, kanë gjetur mbetjet mortore të 3 personave dhe dyshohet se janë nga lufta e fundit.

“Indikacionet janë që ata janë nga lufta e fundit në Kosovë. Etniteti i tyre dhe gjithçka tjetër do të përcaktohet, pasi të bëhen analizat e ADN’së. Aktualisht, kemi gjetur 3 trupa dhe kjo është ajo që mund të konfirmojmë deri më tani, ne jemi në mes të punimeve dhe asgjë nuk mund të themi më shumë. Gjërat do të qartësohen javën tjetër kur të kryejmë punën”, ka thënë Formisto.

Gërmimet gjatë ditës janë mbikëqyrur nga komisionet qeveritare të Kosovës dhe Serbisë.

Gërmimet për të zbuluar të vërtetën nëse në afërsi të ish-ndërmarrjes Metaliku kishte varrezë masive ka nisur në nëntor të vitit të kaluar. Fillimisht është hequr një pllakë e betonit e cila ka qenë e vendosur aty dhe tani ekspertët kanë hasur me mbetjet mortore të të paktën tre personave. Gërmimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400