Memli Krasniqi: LDK dhe Lista Serbe të një mendimi për Specialen

16:15 / E hëne, 22 Janar 2018

Vizita e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në takimin e komisionit të MSA-së së bashku me deputetët e parlamentit evropian në Strasburg, ka ngjallë debat mes deputetëve të LDK-së dhe PDK-së.

Ishin deputetët e LDK-së, të cilët përmes një komunikate për media kanë pohuar se papërgjegjshmëria e deputetëve të koalicionit qeverisës, qoj në dështimin e miratimit të konkluzave në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendi të Kosovës.

Në reagimin e LDK-së thuhet se ndër temat bosht të takimit ishte edhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me ç ‘rast deputetët e LDK-së rikonfirmuan qëndrimin se do të vazhdojë të kundërshtojë çdo ide, që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit të vendit dhe të partneritetit me shtetet mike.

Por sipas LDK-së,  për shkak të qasjes tërësisht të papërgjegjshme të deputetëve të koalicionit qeverisës, dështoi miratimi i konkluzave të përbashkëta në mes të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës.

”Kjo ndodhi për shkak se deputetët e koalicionit qeverisës, kundërshtuan një paragraf të propozuar nga deputetët e parlamentit evropian, i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e gjykatës speciale në përputhje me legjislacionin në fuqi.  Përderisa deputetët e LDK-së dhe të gjithë deputetët evropianë votuan PËR, ishin deputetët e koalicionin qeverisës që kundërshtuan me çdo kusht këtë pjesë të konkluzave, që rezultoi me dështimin e tërësishëm në procesin e miratimit të tyre. Ky ishte një veprim i paprecedent, sepse në asnjë nga takimet paraprake, Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti Evropian nuk kanë dështuar të arrijnë pajtim”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Por shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi duke iu përgjigjur akuzave të LDK-së, tha se përfaqësuesi i Listës serbe dhe LDK kanë qenë të së njëjtës linjë të mendimit, sa i përket iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe kanë votuar bashkë.

“Por ka pasur një moment kur një nga koleget tanë eurodeputet ka propozuar një amandament me gjuhë mjaftë të ashpër në lidhje me iniciativën në Kuvendin e  Kosovës, rreth dhomave të specializuara dhe fakti ka qenë që ne nuk kemi pasur mandat si delegacion, që të marrim një vendim lidhur me këtë çështje, sepse do të ishte krejtësisht e pakuptimtë dhe e padrejtë, që ne të mbanim një qëndrim në Strasburg,  pa e pasur një qëndrim në Prishtinë dhe pa u mbledhur kryesia e Kuvendit apo seanca, për ta shqyrtuar një çështje të tillë. Unë e pash pak më herët që LDK ka nxjerr një komunikatë e cila është me plotë të pavërteta. Nuk është e vërtetë që koalicioni qeverisës ka qenë unanim, përkundrazi, në fakt përfaqësuesi i listës serbe dhe LDK kanë qenë të së njëjtës linjë të mendimit dhe kanë votuar bashkë. Ndërsa të gjithë ne të tjerë, pozitë dhe opozitë kemi abstenuar sa i përket këtij propozimi’, tha ai.

Ai shtoi se nuk ka dëmtim të raporteve mes Kuvendit të Kosovës dhe parlamentit evropian.

“Askush nuk ka absolutisht të drejtë, nëse thotë se ka pasur çfarëdo lloj dëmtimi në raport. Përkundrazi ju do të shihni dhe në ditët në vijim, raporti i Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian është i shkëlqyer, siç ka qenë. Do të thellohet në vazhdimësi”, tha ai.

Përndryshe, gjatë ditës LDK ka mbajtur edhe një konferencë për media për këtë çështje

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400