Ministri i Arsimit dhe Rektori i UP’së po përplasen fort për një udhëzim administrativ

15:54 / E martë, 13 Shkurt 2018

 

 

Udhëzimi administrativ që synon rregullimin e parimeve dhe njohjeve të revistave ndërkombëtare me recension, i nënshkruar javë më parë nga Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, po del të jetë mollë sherri në mes të MASHT’it dhe Universitetit të Prishtinës. Dy zyrtarët e shtetit së fundmi nuk po mund të dakordohen në disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe këtë udhëzim.
Bytyqi kishte thënë se udhëzimi ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe ndalimin e botimeve të doktoratave në revistat fiktive ndërkombëtare. Mirëpo, rektori i UP’së Marjan Dema përmes një konference për media ishte deklaruar se në UP nuk ka vend për dyshime të tilla.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social Facebook ishte kundërpërgjigjur ministri që i cilësonte reagimet e rektorit kundrejt këtij udhëzimi, deklarata të një personi që ndjehet i atakuar. Ky reagim, sipas ministrit, është joprofesional e madje edhe i pavërtetë. Bytyqi kishte shkruar se e sheh si dobësi sjelljen e rektorit, e duke folur për konferencën e Demës, ai thotë se ajo i ka lënë shije të hidhur.

Në këtë konferencë Dema kishte thënë se nuk është takuar asnjëherë me Bytyqin, e për këtë arsye kishte zgjedhur t’i përgjigjet publikisht ministrit për konstatimet e tij. Por, lajmi për takime u demantua menjëherë në media, kur u publikuan disa foto të disa takimeve që ata kishin pasur së bashku.

Rektori, Marjan Dema, nuk i ka komentuar deklaratat e ministrit, edhe pse ministri i kishte thënë publikisht se është ndjerë i atakuar dhe ka folur fjalë që nuk janë të vërteta.

Dema për Gazetën Express, duke folur për udhëzimin e ri administrativ ka thënë se UP është e gatshme që të mbështesë secilën iniciativë që bëhet në të mirë të saj.

“Për ne si menaxhment i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” preokupimi parësor është funksionimi i UP-së. Ne jemi çdo herë të gatshëm të mbështesim secilën iniciativë për të mirën e UP-së, i cili tani në të gjitha aspektet e funksionimit të tij është në gjendje më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë pas luftës, me theks të veçantë në aspektin e cilësisë”, deklaroi ai.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400