Ministri Gashi: MKRS ka rritur përkrahjen për rininë

15:38 / E enjte, 19 Korrik 2018

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni për nënshkrimin e kontratave me të rinjtë përfitues të shpalljes së fundit nga ana e MKRS-së, për Edukim Jo-Formal, ka pritur sot në kabinetin e tij përfaqësues të 22 organizatave rinore.

Pas nënshkrimit të këtyre kontratave, ministri Gashi tha se përmes kësaj mbështetjeje, MKRS po vazhdon përpjekjet për nxitjen e Edukimit jo-formal.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) progresivisht ka rritur përkrahjen për rininë, e në veçanti në këto vitet e fundit. Qëllimi kryesor i gjithë këtyre temave të përkrahura është ideja e përafrimit të rinjve kosovarë me parimet dhe praktikat më të mira evropiane dhe Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive tek të rinjtë përmes edukimit dhe krijimit i kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës duke ju ofruar të rinjve aftësitë dhe njohuritë që ata kanë nevojë për të përparuar në një shoqëri të globalizuar”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu tha “ne do të kemi një rol kyç në përkrahjen e nismave të shoqërisë civile për të përmbushë katër qëllime bazike: Qëllimin ekonomik, sipas të cilit do të aftësojë të rinjtë që të jenë ekonomikisht të përgjegjshëm dhe të pavarur; Qëllimin kulturor, sipas të cilit do të aftësojë të rinjtë që të kuptojnë kulturën e tyre dhe të respektojnë diversitetin; Qëllimin social, sipas të cilit do të aftësojë të rinjtë që të jenë qytetarë aktivë; dhe Qëllimin personal, sipas të cilit do të aftësojë të rinjtë që të njohin botën e tyre të brendshme dhe mjedisin që i rrethon.

Ministri Gashi u zotua se “do të përmbushen të gjitha detyrimet që Qeveria e Kosovës ka mandatuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në tematikën e Edukimit Jo-formal”.

Ai po ashtu sqaroi se nënshkrimi i këtyre kontratave bëhet pas thirrjeve që bën Departamenti i Rinisë në kuadër të MKRS-së dhe zgjedhja e përfituesve bëhet pas vlerësimit nga ana e një komisioni përzgjedhës ku përfshihet edhe shoqëria civile.

“Më vjen mirë që në kuadër të këtyre organizatave që kanë përfituar në këtë thirrje, ka edhe organizata të cilat implementojnë projekte për persona me aftësi të kufizuara”, theksoi ministri Kujtim Gashi.

Ndërkaq përfaqësues të këtyre të rinjve u shprehën falënderues për ftesën e ministrit dhe për nënshkrimin e këtyre kontratave. “Për neve është një nder i madh që një ministër na fton për nënshkrimin e kontratave. Këtë vit me Ministrinë e Kulturës e kemi shënu një hap të madh në cilësinë e mbështetjes që e kemi pas prej Ministrisë. Gatishmëria, përkushtimi, vullneti dhe përzemërsia që e ka tregu Ministria e Kulturës për neve do të thotë shumë dhe ne jemi thellësisht mirënjohës”, u shpreh njëri nga ta.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400