Ministri Pal Lekaj nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Vushtrrisë dhe të Obiliqit

22:43 / E martë, 13 Mars 2018

 

Në mbështetje të projekteve infrastrukturore  kushtuar qeverisjeve lokale nëpër të gjitha komunat e Kosovës, Ministri i infrastrukturës Pal Lekaj vizitoi sot Vushtrrinë dhe Obiliqin. Qëllimi i këtyre vizitave ishte përkrahja dhe plotësimi i nevojave që kanë këto komuna në fushën e infrastrukturës. Në përmbushje të përgjegjësisë dhe përkushtimit që mban Ministria e Infrastrukturës përkrah komunave, Ministri Lekaj nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me udhëheqësit e komunave të lartëpërmendura.

 

I shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku si dhe bashkëpunëtorët e tij, Pal Lekaj së pari vizitoi komunën e Vushtrrisë  nën udhëheqjen e kryetarit Xhafer Tahiri. I njoftuar paraprakisht me gjendjen e infrastrukturës rrugore në Vushtrri, si dhe me projektet që kjo komunë ka planifikuar t’i realizojë në të ardhmen, ministri Lekaj dhe kryetari Tahiri biseduan rreth mundësive të përmirësimit dhe pse jo edhe të perfeksionimit të infrastrukturës rrugore në këtë komunë.

 

“Ne bashkë me deputeten dhe bashkëpunëtorët, jemi këtu që të japim një lajm të mirë për komunën dhe për qytetarët e Vushtrrisë, duke filluar nga autostrada për Mitrovicë, ku edhe është përzgjedhur operatori i favorshëm ekonomik dhe së shpejti do të fillojë, po ashtu edhe për rrugën Qyqavicë dhe urën në Pestovë, e cila është një e mirë e përbashkët. Zotohem këtu para jush, që ne do të jemi të saktë në implementimin e këtyre projekteve, nuk do të ketë stërzgjatje dhe do t’i mbështesim financiarisht. Dera e Ministrisë së Infrastrukturës do të jetë çdoherë e hapur për kërkesat e juaja legjitime, të cilat kanë impakt pozitiv për qytetarët, por edhe për zhvillimin ekonomik, si dhe të bizneseve në përgjithësi. Ajo që ne po bëjmë, është qëndrimi afër komunave duke i ditur vështirësitë buxhetore të tyre. Ne si qeveri do të jemi mbështetës shumë të fuqishëm si dhe të gatshëm për bashkëpunim sa i përket infrastrukturës rrugore lokale, por edhe në segmente tjera”, deklaroi Ministri Lekaj në prononcim për media.

 

Ndërsa kryetari Tahiri shprehu falënderimet e tij drejtuar Ministrit Lekaj dhe Ministrisë së Infrastrukturës, pasi siç tha ai, kjo është vizita e parë që një ministër i qeverisë së tanishme, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë.

 

Menjëherë pas vizitës në Vushtrri, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj vizitoi edhe Obiliqin. I pritur nga udhëheqësi i kësaj komune Xhafer Gashi, Lekaj nënshkruajti marrëveshje bashkëpunimi për projektet infrastrukturore që synon t’i realizojë kjo komunë, si dhe tregoi rëndësinë që kanë këto bashkëpunime për Obiliqin, duke shërbyer kështu si një shtytje e madhe drejt zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik.

 

Në fjalimin e tij thënë mediave, Ministri Lekaj duke premtuar mbështetje në infrastrukturë lokale, pohoi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e vazhdueshme e Obiliqit. Lekaj tha: “Ne e kemi thënë dhe jemi përcaktuar se do të jemi mbështetës të fuqishëm të infrastrukturës rrugore si Ministri e Infrastrukturës, e cila ka ndikim edhe në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë ambiental. Ajo që më bënë të ndihem mirë, është që ne kemi qenë në vizitë këtu edhe para përfundimit të vitit fiskal 2017 dhe iu kemi premtuar se do të jemi mbështetës të projekteve lokale. Andaj, më vjen mirë që sot e kemi tejkaluar atë premtim, megjithëse ky nuk do të jetë fundi, ne do të jemi afër Obiliqit, sepse qyetetarët e kësaj komune e meritojnë një përkrahje edhe më të madhe, e sidomos në ambient. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që me të vërtetë Obiliqi të zhvillohet si komunë dhe qytetarët të kenë mbështetje të fuqishme, sepse të iu krijojmë kushte qytetarëve, është perspektivë e jona, pra e Kosovës”.

 

Ndërkaq Kryetari Xhafer Gashi, duke shprehur falënderime për vizitën e Ministrit Pal Lekaj në Obiliq, shpalosi disa projekte të cilat synon t’i kryej kjo komunë, si: sheshi, i cili shihet si domosdoshmëri nga qytetarët e kësaj ane, plotësimi i infrastrukturës rrugore në lagjen Hade si dhe Ura e Plemetinit.

 

Ministri Pal Lekaj bashkë me kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, i vizituan edhe punimet në Urën e Plemetinit e cila lidhë Hamidinë me Qyqavicën, duke u njoftuar paraprakisht edhe nga afër me projektin i cili parashihet për këtë urë.​

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400