Ministria e Shëndetësisë i lë në harresë të sëmurët me hemofili

16:12 / E martë, 17 Prill 2018

Ka më shumë se pesë muaj qysh kur Urim Rexhaj nuk i ka marrë terapitë për sëmundjen nga e cila vuan prej moshës dyvjeçare. Ilaçi për hemofilinë nuk po gjendet në shtëpitë e shëndetit në Kosovë. Një kuti me tableta për këtë sëmundje kushton deri në 700 euro, shumë e papërballueshme për pacientët. Ministria e Shëndetësisë thotë se gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëjë kërkesën për furnizim me faktorin IX, ilaç i domosdoshëm për pacientët

Urim Rexhaj, nga Suhareka, vuan nga sëmundja e hemofilisë qe nga mosha 2 vjeçare. Hemofilia ka për bazë çrregullimin e gjakderdhjes në trupin e njeriut. Kjo sëmundje nuk ka kurë, por mund të mbahet nën kontroll me përdorim të terapive. Megjithatë, terapi për këtë kategori të të sëmurëve nuk ka në Kosovë.

Rexhaj thotë se nga mungesa e terapisë po i rrezikohet jeta.

Pacienti nga Suhareka deklaron për Express se që nga nëntori i vitit të kaluar nuk ka marrë terapinë ‘faktori IX’. Përmes këtij ilaçi pacientëve u mundësohet hollimi i gjakut.

“Unë qe kur i kam pas 2 vjet vuaj nga kjo sëmundje. Unë rregullisht marr terapitë. Kemi marrë plazma, por prej vitit 2016 kjo u ndërpre por ndërkohë marrim edhe faktor IX. Ky faktori e ndal gjakderdhjen, e trash gjakun nuk e le që të rrjedhë. Që nga nëntori nuk ka pas faktor IX”, thotë ai.

Ai thotë se një terapi e tillë nuk gjendet as në Kosovë. Me të njëjtën ai detyrohet të furnizohet në shtetet fqinje.

“Ne po e ndiejmë veten shumë keq. Këtë ilaç e marrim kur të kemi gjakderdhje. Për momentin nuk ka faktor, po bëhem alergji kur po marrim plazmë. Trupi po e do vetëm faktorin IX. Në barnatore një dozë e faktorit kushton 700 euro”, rrëfen ai.

E ndërkohë për gjithë këtë punë nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se Departamenti Faramceutik i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëjë kërkesën për furnizimin me faktorin IX të institucioneve shëndetësore nga Operatori Ekonomik, i cili është i obliguar që në afatet ligjore të bëjë furnizimin.

“MSh – Departamenti Faramceutik i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëjë kërkesën për furnizimin me faktorin IX, të institucioneve shëndetësore nga Operatori Ekonomik, i cili është i obliguar që në afatet ligjore të bëjë furnizimin e të gjitha institucioneve shëndetësore publike, në bazë të kërkesave të planifikuara të tyre”, thuhet në përgjigjen e MSH’së, dhënë Express’it.

Megjithëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në repartin e Hemato-Onkologjisë, janë 29 raste me hemofili A dhe 12 raste me hemofili B të cilët trajtohen aty. Sipas stafit mjekësor, gjatë vitit lajmërohen 3 deri në 4 raste të reja me këtë sëmundje.

Kujtojmë se hemofilia është një sëmundje e lindur dhe paraqet çrregullim me gjakderdhje të shumta, sidomos në nyje. Mjekimi themelor i hemofilisë është marrja e plazmës, që është produkt i gjakut ose faktori në formë të koncentruar, që ndryshe njihet si ‘faktori 8’ ose ‘faktori 9’.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400