Momenti kur Haradinaj la postin e kryeministrit për t’iu përgjigjur Hagës (Foto)

09:01 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

 

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili u arrestua ditë më parë në aeroportin e “MulleHouse”-s, në Francë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ka qenë cak i “drejtësisë” edhe disa herë të tjera.

Ishte viti 2005 kur Haradinaj në momentin më të ndritur të karrierës së tij kishte vendosur që të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë kishte ngritur padi kundër tij.

“Si rezultat i kësaj jap dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe përgatitem që nesër (e mërkurë) të udhëtoj në Hagë,” kishte thënë Haradinaj në një konferencë shtypi në Prishtinë, më 8 mars 2005. “Kjo është një prej ditëve më të vështira të mia, por liria ka çmim të lartë dhe unë në jetën time kam pasur edhe ditë të tjera të vështira”, kishte shtuar ai.

Haradinaj edhe atëherë kishte thënë se ishte i pafajshëm, gjë e cila ishte dëshmuar nga Tribunali i Hagës, i cili e kishte shpallur të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave. Atë kohë ai kishte shtuar se është gabim që bashkësia ndërkombëtare i trajton viktimat e agresionit njëlloj me agresorët.

“Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një gabim të madh kur e ka krijuar një tribunal i cili i trajton luftëtarët e lirisë njësoj me agresorët, që shkatërruan popuj të tërë dhe e kthyen rajonin në gërmadha”, kishte deklaruar ai.

Sot Haradinaj gjendet në burgun e Francës duke pritur vendimin e gjykatës franceze rreth kërkesës për ekstradim të Serbisë.

Ndërkohë, nesër në qytetet kryesore të Kosovës do të organizohen marshe protestuese në mbështetje të liderit të AAK-së

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400