“Mos mëshironi vrasësin e Almirit”

00:25 / E martë, 23 Janar 2018

 

Mbi Urën e Gurit të Shkupit, u mblodhën qytetarët për të protestuar në moton “Prokurorët vrasin Almirin për herë të dytë”.
U organizuan përmes rrjeteve sociale që të kundërshtojnë mundësinë e rikualifikimit të rastit gjyqësor për vdekjen e Almir Aliu nga Kumanova. Në mesin e tyre ishin edhe familjarët e të të ndjerit 4 vjeç, të cilët mbajnë parullat në duar: “Vrasja është vrasje”, “Vrasja nuk është aksident trafiku”. Këto porosi i drejtohen organit të akuzës. Kërkojnë që për Boban Iliq të mos tregohet mëshirë, por drejtësi.

Organizorët e kësaj proteste shprehen kundër iniciativës së Prokurorisë themelore publike të Kumanovës, e cila kërkoi që vendimin për rikualifikimin e rastit nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjeje” ta vendosin Prokurorët Republikan.

“Rasti siç shihet edhe nga video-incizimet ka të bëj me vrasje klasike e kryer me paramendim. Nuk duam që edhe ky rast të jetë njëri nga ato që të konstatojmë ekzistimin e drejtësisë selektive. Nuk guxojmë të lejojmë që drejtësia të varet nga përkatësia etnike e të akuzuarit, viktimës ose pjesëmarrësve tjerë në vepra. Shpresojmë që më në fund drejtësia të nisë të funksionoj në Republikën e Maqedonisë dhe do të respektohen normat ligjore”, tha Diana Tahiri, Aktiviste.

Heshtja kundrejt këtij rasti është shurdhuese, thotë Visar Vishka, i cili kërkon që drejtësia të vihet në vend.

“Ne shpresojmë që njerëzit të dalin për çdo padrejtësi që bëhet, mirëpo ne e morëm këtë iniciativë për shkak se për këtë rast kishte heshtje të madhe. Për shkak se nuk doli askush vendosëm të dalim ne. Normal që ne do ta vazhdojmë këtë “luftë” dhe kjo nuk është vetëm për Almirin, por është për të gjithë ne, për të gjithë fëmijët tanë që gjëra të tilla mos të ndodhin më kurrë”, tha Visar Vishka, Qytetar.

Protestuesit marshuan drejt godinës së Prokurorisë Themelore Publike, të cilët në mënyrë simbolike para derës së këtij institucioni vendosën këpucët e të ndjerit 4 vjeç, të rrethara me lule dhe parulla.

Babai i Almirit, Sedat Aliu, gjatë marshimit thotë se beson në organet e drejtësisë dhe pret një vendim të drejtë nga prokurorët.

“Kjo nuk ka qenë e nevojshme, por në raste të tilla pritet që të dalin gjërat në shesh, edhe pse nuk ka pasur nevojë, për shkak se dihet rasti i dëshmuar me video incizime, por nuk e di, të shohim nesër çfarë do të ndodh”, u shpreh Sedat Aliu, Babai i Almirit.

I dyshuari Boban Iliq, ka shtypur me makinë Almirin, në verën e 2016-s, pas një zënke me prindin e tij Sedat Aliut tek Ambulanca e Kumanovës, e cila pasoi më një përleshje fizike ku u përfshinë vëllai i Bobanit dhe kushërinjtë e Sedatit. Për rastin e njëjtë, me veprën penale “dhunë” akuzohet Sedat Aliu, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu. Nga Prokuroria Themelore Publike thonë që nesër prokurorët republikan pritet të sjellin vendimin për këtë rast, kurse pala mbrojtëse ka të drejtë që të ankimojë këtë vendim

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400