MPJ thotë se Pacolli shkon në Sanxhak si ministër

21:28 / E premte, 20 Korrik 2018

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është ftuar ta vizitojë Sanxhakun gjatë ditës së nesërme. Kurse, Nebojsha Stefanoviq, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, ka thënë se është njoftuar se Pacollit nuk do t’i lejohet shkuarja në Novi Pazar. E, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se Pacolli nesër shkon në Sanxhak.

Autoritetet serbë kanë reaguar pasi kryediplomati kosovar mori ftesë nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, Sulejman Uglanin, që më 21 dhe 22 korrik ta vizitonte Sanxhakun.

Ftesa për pjesëmarrje në këtë konferencë në Novi Pazar që iu bë dje zëvendëskryeministrit  ka alarmuar autoritetet serbe.

I ftuar nga udhëheqësi i boshnjakëve të Serbisë, Sulejman Uglanin, Pacolli ka bërë kërkesë për leje në autoritetet serbe, megjithatë zyrtarisht nuk ka marrë përgjigje.

Mirëpo, bazuar në marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë, nëse përgjigjja për vizita politike nuk refuzohet, atëherë ajo në heshtje miratohet.

Jetlir Zyberaj nga MPJ-ja ka thënë për Express se Pacolli do të niset për në Sanxhak në bazë të agjentes së paraparë.

“Pacolli nesër do të udhëtojë në Novi Pazar për të marrë pjesë në forumin e boshnjakëve. Kjo do të thotë se ai shkon në Sanxhak , bazuar në marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë.  Ne nuk kemi marrë përgjigje akoma por heshtja sipas marrëveshje nënkupton aprovim të vizitës”, ka thënë Zymberi.

Pacolli në Serbi do të udhëtojë si shef i diplomacisë kosovare, ashtu siç i është bërë ftesa nga Këshilli kombëtar i boshnjakëve.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë për mediat serbe se Serbia do të reagojë seriozisht, me përgjegjësi dhe me dinjitet ndaj ftesës së Pacollit.

Këshilli kombëtar boshnjak e ka ftuar Pacollin që të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën më 21 e 22 korrik. Pacolli u ftua në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës për të folur për të drejtat e njeriut.

Tanjug thotë se në Sanxhak tashmë ndodhet zëvendësshefi ndërlidhës i Kosovës në Beograd.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400