Negociatat me Greqinë janë përmbyllur, Rama shkoi tek Meta për plotfuqishmërinë

22:24 / E mërkure, 13 Qershor 2018

Zbulohen detaje të reja nga takimi kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës Ilir Meta në zyrën e këtij të fundit.

Biseda e të mërkurës pasdite zgjati rreth 30 minuta dhe në fokus të saj ka qenë marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Burime të lapsi.al thanë se tashmë janë përmbyllur negociatat mes dy vendeve. Kanë mjaftuar vetëm 2 takime të grupit negociator, njëri në Tiranë dhe tjetri në Athinë për të finalizuar këtë marrëveshje.

Sipas të njëjtave burime kjo ka qenë arsyeja pse Rama kërkoi një takim me Metën.

Kreu i qeverisë e ka njohur me rezultatet e marrëveshjes dhe më pas i ka kërkuar plotfuqinë për ta nënshkruar marrëveshjen.

Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës jep fillimisht autorizimin për nisjen e negociatave dhe për grupin negociator dhe më pas firmos plotfuqishmërinë për nënshkrimin e draftit.

Nuk dihet qëndrimi që ka mbajtur Meta në këtë takim, por besohet se ai do të kërkojë kohë përpara se të marrë një vendim. Të njëjtën praktikë ndoqi edhe në dhënien e autorizimit të nisjes së negociatave duke kërkuar disa herë informacione shtesë për çështjen.

Mediat greke shkruan para pak ditësh se marrëveshja do të finalizohet brenda muajit korrik dhe ajo do të firmoset në Athinë

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400