Negociatat me Greqinë, Lubonja: Ja çfarë duhet bërë që të mos ketë kontestime

18:30 / E enjte, 22 Shkurt 2018

 

 

Përmes një lidhje me ‘Skype’ për rubrikën Opinion në News24, analisti Fatos Lubonja ka komentuar qëndrimin e presidentit Ilir Meta për të mos dhënë autorizimin për negociatat me Greqinë dhe çështjen e detit, pasi sipas tij ka paqartësi.

Lubonja u shpreh se përderisa ka kaq shumë kontradikta dhe mungesë transparence, gjëja më e mirë është të ketë bashkëpunim të forcave politike që të mos ketë kontestime më vonë.

“Përderisa ka kaq shumë kontradikta dhe akuza për mungesë transparence, gjëja më e mirë që duhet të ishte bërë është që të kishte sa më shumë bashkëpunim mes forcave politike që mos ketë kontestime më vonë, siç ndodhi me marrëveshjen në kohën e Berishës. Pra nëse forcat politike janë dakord, është e lehtë që edhe opinioni publik të jetë dakord. Vendimi nuk duhet të jetë i kontestueshëm më vonë dhe duhet të ketë bashkëpunim. Nëse bëhet fjalë për negociata, se ka lindur debati a ka pasur apo jo negociata, pra vendimi kur të merret të merret në formë të atillë që të mos jetë i kontestueshëm qoftë nga brenda qoftë duke thirrur edhe ekspertë të huaj që mund të jenë më të besueshëm, për arsye që ne i dimë për shkak të kontradiktave mes palëve. Përndryshe kjo rruga e imponimit të njërës palë ndaj të gjithë të tjerëve është e gabuar”- u shpreh analisti, raporton BalkanWeb.

I pyetur nëse ky konflikt mes forcave politike mund të dëmtojë negociatat me Greqinë për çështjet e mbetura pezull, Lubonja tha se nëse negociatat janë mbyllur padyshim që e dëmton. Ai tha se duhet të publikohen hartat e vitit 2009 dhe të vitit 2018 që të bëhen krahasimet për çështjen e detit.

“Padyshim që i rrezikon nëse negociatat janë tashmë të mbyllura dhe është marrë një vendim siç flitet, për të cilat forcat e tjera nuk janë dakord. Kjo është një çështje që i prek të gjitha palët. Mendoj se gjëja më e thjeshtë është publikimi i hartave të marrëveshjes të vitit 2009. Pse të mos i jepet plotfuqishmëria presidentit dhe më pas të bëhen krahasimet me marrëveshjen e këtij viti për detin. Nëse ato nuk janë mbyllur sikundër pretendohet nga ministri i Jashtëm, pse të mos i jepet plotfuqishmëria presidentit, ti njohë, dhe në raport me një marrëveshje tjetër, të thotë është pozitive apo negative. E mira është të shkohet në një gjyq ndërkombëtar, me ekspert ndërkombëtar t’i jepet situata e terrenit e t’u thuhet kemi këtë hartë, këtë ishull e t’i thuhet ju lutem na caktoni kufirin”- tha Lubonja.

Pyetjes nëse Meta kërkon protagonizëm me këtë çështje, Lubonja tha se presidenti ka hapësira të tjera për të marrë protagonizëm.

“Presidenti ka hapësira të tjera për të marrë protagonizëm, pasi Shqipëria është e mbarsur me probleme. Sikur presidenti të angazhohet me këto çështje do ishte e mjaftueshme protagonizmi mendoj”- tha Lubonja.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400