Ngjarjet kryesore të ditës së nesërme

22:26 / E mërkure, 14 Shkurt 2018

 

Çfarë do të ndodhë më 15 shkurt në Kosovë?
Një mori ngjarjesh do ta karakterizojnë të enjten në Kosovë.

Në mëngjes, në orën 8, drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe drejtori menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Thomas Mayr-Harting, do të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë.

Gjysmë ore më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të presë në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Në orën 9, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të presë në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Në të njëjtën kohë, zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, do të mbajë një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Në orën 9:30, do të nënshkruhet Marrëveshja për Grant për Projektin për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 të Kosovës, ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh). Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe Charlotte Ruhe nga BERZh. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe Christian Danielsson nga KE; Thomas Mayr-Harting nga EEAS, si dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha. Pas nënshkrimit, do të ketë konferencë për medie.

Në të njëjtën kohë, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës do të organizojë konferencën me temën “Kosova 10 vjet shtet – Mësimet dhe pritjet”.

Në orën 9:45, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të presë në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe drejtori menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Thomas Mayr-Harting, do të takohen me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë, me organizim të Innovation Centre Kosovo dhe me mbështetje të Zyrës së Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit, “Kosova Digjitale” do të sjell në një vend bizneset, nismat dhe institucionet e suksesshme në 10 vitet e fundit, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ndërkaq, në orën 10:15, Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim do të mbajë një aksion simbolik, në kohën kur shënohet 48-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Në orën 11, do të organizohet ceremonia e 48-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Do të marrë pjesë dhe presidenti Hashim Thaçi.

Në mesditë, organizata “Let’s Do It Kosova” do të organizojë aksion pastrimi te pika kufitare Kosovë-Maqedoni. Do të marrin pjesë dhe ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma.

Pasdite, në orën 13:30, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të ndajë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi.

Në mbrëmje, në orën 18, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, në kinemanë “ABC”, në Prishtinë do të shfaqet filmi “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli. Hyrja do të jetë falas.

Një orë më vonë, Galeria Kombëtare e Kosovës, në Prishtinë, do të hapë ekspozitën “Vizatimi Sot”, për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në orën 20, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë, do të shfaqen filmat vendës: “Shok” nga Jamie Donoughue; “Home” nga More Raça; “Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj; “Si qeni n’rrush” nga Driton Hajredini dhe Yll Çitaku. Hyrja do të jetë falas.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë, në sheshin “Nënë Tereza”, bendi i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbajë koncert për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400