Organizohet punëtori për përfshirjen e shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë në MSA

17:42 / E mërkure, 11 Janar 2017

Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Ministria e Integrimit Evropian organizoi punëtorinë e parë për themelimin e mekanizmit konsultativ me Organizata të Shoqërisë Civile (O.SH.C.) dhe akterë tjerë në kuadër të strukturave të Stabilizim Asociimit, Kosovë – BE.

Me këtë rast u diskutuan parimet e përfshirjes së OShC dhe palëve të tjera të interesuara në kuadër të strukturave të Stabilizim Asociimit (SA), si dhe rreth aspekteve tjera strukturore dhe organizative të kësaj përfshirje. Njëkohësisht u shtjelluan rekomandimet dhe propozimet e përfaqësuesve të OShC lidhur me përfshirjen e tyre në kuadër të strukturave të SA sikurse edhe draft-udhëzimet për përfshirjen e OShC në kuadër të strukturave të SA.

Në fjalimin e saj hyrës, zëvendësministrja për Integrim Evropian, Anila Statovci-Demaj potencoi se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në prill të vitit të kaluar, Kosova ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në rrugën e saj evropiane.

“Kjo pasi që perspektiva jonë evropiane është bërë më e prekshme, duke avancuar nga një fazë e marrëdhënieve ekskluzivisht politike, në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian në kornizën e politikës së zgjerimit të BE-së. Si marrëveshja ndërkombëtare më gjithëpërfshirëse që ka lidhur Kosova, ajo ka vendosur kornizën e marrëdhënieve tona me shtetet anëtare të BE-në dhe institucionet e saj dhe përcakton mekanizmat e afatet zyrtare për reformat që në mënyrë progresive do ta përafrojnë Kosovën me standardet e BE-së”, ka thënë ajo.

Ndërsa, për mekanizmin konsultativ, zëvendësministrja tha se MIE, si institucion koordinues i agjendës evropiane, në emër të Qeverisë, është duke punuar në dizajnimin e një mekanizimi për të siguruar përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesit në punën e këtyre strukturave, të cilat luajnë rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e të gjitha reformave për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së.

“Marrë parasysh se përgjegjësia për zbatimin e reformave bie mbi Qeverinë dhe institucionet e tjera shtetërore, ky mekanizëm do të shërbente kryesisht për të siguruar konsultime efektive dhe të vazhdueshme me të gjitha palët e interesuara gjatë planifikimit dhe zbatimit të reformave”, tha ajo.

Për këtë punëtori ishte e ftuar në cilësinë e ekspertes, Tamara Obradovic-Mazal të jep një prezantim me përvojat e rajonit, konkretisht të Kroacisë dhe si do të ishte praktika më e mirë që Kosova të krijojë mekanizmat konsultativ me O.SH.C. të strukturave të Stabilizim Asociimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400