A po helmohen produktet bujqësore shqiptare? Flet për herë të parë Edi Rama

19:27 / E mërkure, 13 Qershor 2018

Prej disa ditësh një shqetësim është ngritur në media dhe emri i tij është methomyl, një pesticid që përdoret në sektorin e bujqësisë në vend dhe që shkakton dëme të mëdha te shëndeti i njerëzve.

Pesticidi në fjalë futet kontrabandë në vend dhe përdoret mjaft shpesh nga fermerët në mënyrë që t’i ndihmojë këta të fundit të rrisin artificialisht produktet e tyre. Por po aq të shumtë janë ata fermerë që nuk e dinë se pesticidi në fjalë dhe disa syresh janë mjaft të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mund të shkaktojnë probleme serioze.

Pikërisht mbi këto shqetësime të ngritura në media ka dhënë një përgjigje zyrtare kryeministri i vendit Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin social e nis reagimin me një pyetje.

“Prodhimet bujqësore shqiptare problematike?

Një shembull: Vetëm një kompani shqiptare, ka grumbulluar dhe eksportuar deri tani mbi 6000 ton domate e kultura të tjera bujqësore, në 12 vende të Bashkimit Europian dhe analizat e kanë nxjerrë përqindjen e mbetjeve kimike në domaten shqiptare e në të tëra kulturat e tjerat, nën normën e lejuar nga BE-ja”-shkruan Rama.

Sipas Ramës kompanitë shqiptare që prodhojnë e madje eksportojë produkte bujqësore janë të certifikuara nga BE për ndjekjen e standardeve evropiane. Madje kryeministri ka postuar një foto që në rastin më të mirë do të vërtetonte “shëndetin” e domates, sesa zgjidhjen e problemit apo fenomenit.

Nga ana tjetër, vetë Rama nuk e ka mohuar faktin se methomyl qarkullon në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, duke thënë se të tilla probleme duhen adresuar… por që sërish Shqipëria është më mirë se ç’ka qenë dikur në raport me sigurinë ushqimore, një argument ky që ashtu si domatja e “pastër” nuk adreson problemin dhe fenomenin e një kontrabande që kushton shumë shtrenjt… shëndetin e shqiptarëve.

“Kjo nuk do të thotë se çfarë është thënë, qoftë për pesticidin e rrezikshëm që u kap në Shqipëri a qoftë për problematikën e vjetër të kontrollit të sigurisë së prodhimeve tona bujqësore, është një fantazi mediatike pa asnjë bazë! Jo, në asnjë mënyrë, pesticidi i rrezikshëm ishte real e po ashtu problematika është reale. Padiskutim! Por sot, faktet thonë se kontrolli i sigurisë mbi prodhimet bujqësore është më i fortë se sa kurrë më parë dhe prodhimet problematike nuk janë rregulli, po raste përjashtimore që përforcojnë rregullin”-shkruan kryeministri.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400