Politika uron për Bajram

23:23 / E enjte, 14 Qershor 2018

Krerë institucionalë e partiakë kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Fatmir Limaj:

Në prag të festës së Fitër Bajramit, në emër të Nismës Socialdemokrate dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve myslimanë urime Festa e Fitër Bajramit! Kjo festë vjen pas muajit të Shenjtë të Ramazanit, i cili është simbol i sakrificës, paqes, dashurisë, harmonisë dhe i përkushtimit ndaj Zotit. Në këtë festë ndajmë përgëzimet dhe urimet më të mira për njëri-tjetrin. Uroj në këtë ditë feste që në familjet tuaja të keni mirëqenie, dashuri, lumturi dhe begati!

***

Isa Mustafa:

Të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj përzemërsisht përmbylljen me devotshmëri të muajit të shenjtë të Ramazanit. Paqja, mirëqenia e harmonia mbizotërofshin në të gjitha familjet dhe në shtetin e Kosovës. Urime Festa e madhe e Fitër Bajramit!

***

Ramush Haradinaj:

Urime festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve muslimanë. Në këtë festë, që përhapë frymën e përmbushjes së qëllimit të sakrificës, uroj të jemi të bashkuar në jetësimin e mesazheve për paqe dhe tolerancë, për ta ruajtur besimin në vlerat kulmore.

***

Vetëvendosje:

Me fat Fitër Bajrami!

Si përmbyllje e muajit të Ramazanit, muaj ku mbizotërojnë vlerat si vetëpërmbajtja e sakrifica përmes agjërimit, solidariteti e përkushtimi për njëri – tjetrin, e kujdesi për nevojtarët, besimtarët myslimanë nesër festojnë festën e Fitër Bajramit.

Fitër Bajrami shënon kulmin e kësaj devotshmërie njëmujore dhe na mëson se rruga e drejtë e njeriut është bashkëndienja me nevojtarin, dashuria për njëri-tjetrin, sakrifica për të përbashktën dhe shtrirja e dorës së ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë.

Simbolika e kësaj dite mbart mësimin se rrugëtimi ynë jetësor merr kuptim vetëm nëse arrijmë të lartësojmë për të gjithë e bashkërisht, barazinë e drejtësinë, mirëqenien e përkujdesin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë! Le të jetë kjo një ditë përkujtimi mbi vlerat e përbashkëta dhe të përhershme për të gjithë! Ndërsa përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe sakrifica le të lartësohen përherë e kudo, si element i domosdoshëm për vetëpërmbushje dhe shoqëri të mirëfilltë. Gëzuar!

***

Hashim Thaçi:

Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, një muaji me përplot përkushtim, adhurim, devotshmëri dhe fisnikërim shpirtëror, vjen edhe festa e Fitër Bajramit. Besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë, duke ju dëshiruar sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e tyre. Qytetarët tanë, pa dallime etnike dhe fetare, çdoherë e më shumë po i forcojnë dhe kultivojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes.

***

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400