Premtohen ndryshime pozitive për qytetarët e Kosovës

16:20 / E shtunë, 13 Janar 2018

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reqica ka thënë sot se mirëqenia e qytetarëve është objektivi kryesor i dikasterit që ai udhëheq.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar për vendimet që dje ka marr në mbledhjen e saj Qeveria e Kosovës, e që kanë të bëjnë me ndihmat sociale për qytetarët.

Ja postimi i Reqicës:

Mirëqenia e qytetarëve, objektivi ynë kryesor

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, dje u miratuan një sërë propozim vendime të cilat i paraqita kabinetit qeveritar, vendime që do të kontribuojnë pozitivisht në ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e vendit.

Pagesa mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale do të rritet për 20%.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbi varfërinë dhe papunësinë, familjet në Skemën e Ndihmës Sociale vazhdojnë të jenë shtresa më e varfër dhe më e goditur në aspektin ekonomik dhe social dhe ky vendim ka për qëllim ndryshimin e një situate të tillë.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe propozim vendimi ynë për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 65.000.00 euro për mbështetje të disa OJQ-ve, të cilat ofrojnë shërbime për strehim të viktimave të dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të trafikimit.

Mjetet janë ndarë për muajin janar dhe shkurt me qëllim të ofrimit të mbështetjes së tyre në mbulimin e kostove për klientët në nevojë.

Fusha e sigurimeve shëndetësore është e një rëndësie të veçantë dhe bazuar në obligimet që dalin nga Ligji për Sigurime Shëndetësore, është kërkuar nga MPMS që të përcaktohet institucioni përgjegjës për zbatimin e Testit të Varfërisë, për disa kategori sociale.

Pas miratimit të propozim vendimit, Qendrat për Punë Sociale, si institucioni më kompetent dhe me i përshtatshëm për të zbatuar sistemin e targetimit për lirim nga pagesat e premiumeve për sigurime shëndetësore do të angazhohen në realizmin e testit të varfërisë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Bordit Këshillëdhënës të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës i cili themelohet për të dhënë këshilla për përgatitjen dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës dhe për zhvillimin dhe funksionimin e përgjithshëm të Agjencisë.

Mirëqenia sociale dhe rritja e punësimit për qytetarët tanë është objektivi im kryesor dhe këto vendime, krahas angazhimeve tjera konkrete, i hapin rrugë përpjekjeve për të bërë ndryshime pozitive në këtë drejtim. /

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400