Presidenti Thaçi reagon pas publikimit të Raportit të Progresit

16:24 / E martë, 17 Prill 2018

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar pas publikimit të raportit të progresit dhe pakos së zgjerimit nga Komisioni Evropian.

“Më këtë rast, dua të theksoj se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, tash, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara.

“E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka vlerësuar ai.

I pari i vendi thekson se Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE.

“Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë, dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin”, ka thënë në fund Thaçi.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400