Prokurori kërkon plotësimin e aktakuzës për krime lufte ndaj serbit Vukotiq

11:07 / E martë, 17 Prill 2018

Prokurori Paul Flynn propozoi sot plotësimin e aktakuzës në gjykimin e Zoran Vukotiqit për krime lufte.

Pas këtij propozimi, trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendim në lidhje me plotësimin e aktakuzës.

Sot Vukotiq ka dalë në gjyq si i akuzuar për krimet në Studime të Vushtrrisë dhe në Burgun e Smrekonicës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në  Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në  sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në  mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në  mesin e këtyre civilëve të  vrarë, plagosur dhe të trajtuar në  mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mulaku, Xhavit Mulaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një 14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu dhe Musa Gërxhaliu. /kallxo.com/.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400