Promovohet Programi Nacional për Rininë (FOTO)

21:43 / E premte, 09 Nëntor 2018

“Lansimi i programit që po ndodhë sot, po e jep një kornizë të asaj se si do të ndodhin disa programe garuese, që krijojnë perspektivë të re për talentët”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e Promovimit të Programit Nacional për Rininë.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, pasi përgëzoi Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhap Hotin për punën e mirë që ka bërë, tha se arsyeja pse ky moment është ndryshe nga përditshmëria, është për faktin se në vendet tjera, njerëz të suksesshëm, karrierën e tyre e kanë filluar duke garuar dhe marrë bursë dhe shpërblyer nga shkolla, universiteti.

“Nga këto gara, mund të lindin liderë të ardhshëm të shkencës, të profesioneve të ndryshme”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se Qeveria që udhëheq, ka marrë seriozisht përgjegjësitë e veta ndaj pasurisë më të madhe që ka vendi ynë, e që është rinia, fëmijët.

“Kemi rrit për 12 për qind buxhetin për arsim. Është një rritje shumë përmbajtësore e këtij buxheti dhe në të njëjtën kohë i kemi trajtuar me kujdes obligimet ndaj arsimit edhe me kryetarët e komunave”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se lansimi i programit që po ndodh sot, po e jep një kornizë të asaj se si do të ndodhin disa programe garuese, që krijojnë perspektivë të re për talentët.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi si të drejtë çështjen e rinisë sonë që të lëviz lirshëm dhe të jetë pjesë e rinisë evropiane, duke potencuar po ashtu se rinia kosovare nuk është më e pazot se rinia e vendeve të tjera dhe me këtë rast, lëvizja e lirë do të ishte nxitje që gara të hapej më shumë.

Koordinatori i Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, tha se Programi Nacional për Rininë shtrihet ekskluzivisht për nxënësit e shkollave fillore, të mesme të ulëta, të mesme të larta dhe studentë dhe falënderoi për pjesëmarrje në këtë program edhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Projekti Nacional për Rininë mbështetet mbi dy parime bazë: mbi gjithëpërfshirjen dhe mbi vijueshmërinë dhe në këtë drejtim projekti shtrihet për 340 mijë nxënës dhe 110 mijë studentë të Republikës së Kosovës”, tha koordinatori Hoti, duke shtuar se është hera e parë që po ofrohet një program, i cili iu jep shansin të gjithë nxënësve në garë për shkathtësinë e njohjes, për kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe për sport.

Sipas tij Programi Nacional për Rininë është projekti i parë i cili Republikës së Kosovës do t’ia kthejë gjallërinë në rrugë në rrugë në sheshe dhe projekt që do t’i përmirësojë rezultatet e PISA-s.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ky projekt është impozant dhe në të njëjtën kohë lë shumë për të arritur, për shkak se ka të bëjë drejtpërdrejt me asetin themelor për të cilën siç u shpreh ai, Republika e Kosovës është krenarë që i ka, e ajo është rinia e vendit.

Kryetari Veseli tha se kjo rini aktualisht është duke u ballafaquar me sfida të cilat janë të natyrave të ndryshme, qoftë në fushën e edukimit, qoftë në fushën e integrimit, në sektorin e tregut të punës, por në të njëjtën kohë ballafaqohet edhe me vështirësi në aspektin regjional dhe evropian, duke qenë rinia më e izoluar.

“Tani në qeverisjen e kryeministrit Haradinaj kanë filluar hapat e parë që janë shumë shpresëdhënës për rininë dhe ky projekt tregon një mundësi për të rinjtë dhe të rejat tona, që të zhvillojnë aftësitë e veta dhe tregon se Qeveria e Kosovës mendon për ta dhe do t’i përkrah ata”, tha kryetari Veseli.

Në kuadër të Programit Nacional për Rininë u publikuan edhe 14 dokumente që shërbejnë si udhëzues për implementimin e Programit.

Të pranishëm në promovimin e këtij programi, ishin edhe kryetarë të Komunave të Republikës së Kosovës, akademikë dhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë.

 

Rexhep Hoti

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400