Qeveria tallet me qytetarët, kërkon nga ata të vendosin për demarkacionin!

17:35 / E shtunë, 13 Janar 2018

 

Infopress / Donjeta Jashanica

Pasi që votat për demarkacion nuk po sigurohen në Kuvend, janë paraqitur metoda të tjera për ta zgjedhur këtë çështje.

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ka propozuar për mbajtjen e një referendumi për demarkacionin, pasi që sipas tij, qeveria nuk është e një mendimi për marrëveshjen me Malin e Zi.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Muhamet Kelmendi, ka thënë për Infopress se juridikisht është e mundur të ndodhë referendumi për demarkacionin, por se fillimisht duhen votime në Kuvend.

“Natyrisht se Referendumi është ligjërisht i përcaktuar në Kushtetutë si mjet i marrjes së vendimit të popullit për çështje me rëndësi. Por, që të arrijë deri te kjo duhen votime në Kuvend me 2/3 dhe mbi bazën e tillë edhe nxerrja e ligjit me referendim. A ka mundësi të ecet në këtë rrugë, është një çështje që i takon Kuvendit të vendosë. Juridikisht është e mundshme”, theksoi Muhamet Kelmendi.

Kurse, njohësi i rrethanave politike, Dimal Basha, ka thënë se propozimi i zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, është ikje nga përgjegjësia.

“Sugjerimi i z. Gashi nuk qëndron dhe është ikje nga përgjegjësia për shumë aryse. E para, populli ka votuar përfaqësuesit e tyre që të vendosin për çështjet madhore dhe ata/ato duhet të mbajnë përgjegjësi për ecurinë e çështjeve madhore siç është demarkacioni dhe jo t’ia hedhin atë popullit. E dyta, qytetari nuk ka njohuri eksperti në këtë lëmi dhe duke marrë parasysh që është temë emocionale, ne e dimë që emocionet manipulohen lehtë dhe kjo temë mund të përfundoj në greminë. Prandaj, përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe përfaqësuesit që ta ratifikojnë këtë marrëveshje, sepse një gjë është e ditur, qytetari i Kosovës kërkon të lëvizë lirshëm dhe ky izolim po zgjatë drejtpërdrejtë si pasojë e mos-kalimit të demarkimit. E fundit, fillimi i trajtimit të temave me referendum vetëm çka hapë kutinë e pandorës dhe nxjerr më shumë probleme se sa zgjidh”, ka shtuar Dimal Basha për Infopress.

Ai tutje thotë se marrëveshja duhet të ratifikohet nga deputetët në Kuvend.

“Prandaj, deputetët duhet ta ratifikojnë marrëveshjen dhe sugjerimi që të hidhet përgjegjësia te populli tregon ikja nga përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur dhe kanë mandat të kryejnë këto punë”, ka thënë gjithashtu njohësi i rrethanave politike.
Ndërkaq, analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë se ky propozim është sa për të bartur vëmendjen e publikut.

“Është një ide apo propozim më shumë sa për ta tërhequr vëmendjen e opinionit se sa një ide realiste për deklarimin e qytetatëve përmes referndumit për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi”, nënvizoi Haziri për Infopress.

Ai ka shtuar se duhet t’i jepet një epilog kësaj çështje, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin e izoluar.

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të kalojë përmes ratifikimit në Kuvendin e Kosovës dhe t’i jepet epilog kësaj çështje, e cila po e mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400