Qytetarët ankohen për keqpërdorim të privatësisë

22:55 / E martë, 23 Janar 2018

Siguria e qytetarëve në Kosovë për çdo ditë e më shumë po sfidohet. Çdo vit, në Agjencinë e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, qytetarët ankohen për shkelje të privatësisë apo për keqpërdorim të te dhënave personale. Ndonëse, ka rënie të ankesave, numri i tyre prapë mbetet shqetësues.

Në vitin 2017, në këtë agjenci janë dërguar gjithsej 78 ankesa nga qytetarët. Kështu, ka thënë për Indeksonine, Jeton Arifi, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në AMDhP.

“Gjatë vitit 2017, Agjencia ka pranuar gjithsej 78 ankesa. Vlen të ceket se numri më i madh i ankesave është në sektorin privat”, ka thënë Arifi.

Mirëpo, nga këto ankesa asnjë prej tyre nuk ka pasur inicim të procedurës kundërvajtëse pasi Agjencia me ligjin aktual nuk ka të drejtë inspektimi, por këtë të drejtë e kanë vetëm mbikëqyrësit shtetërorë, të cilëve u ka skaduar mandati para një viti e gjysmë.

“Gjatë vitit 2017 nuk ka ndonjë kërkesë për inicim të procedurës kundëvajtëse, pasi që për të ngritur në Gjykatën Themelore, Agjencia, fillimisht duhet zhvilluar inspektim të rregullt apo sipas ankesës, e pastaj, sipas të gjeturave nga inspektimi të hartojë padinë me faktet mbështetëse. Ndërkaq, sipas ligjit aktual në fuqi (të pandryshuar ende), të drejtë inspektimi kanë pasur vetëm mbikëqyrësit shtetërorë, të cilëve u ka skaduar mandati para një viti e gjysmë. Vlen të theksohet, me këtë rast, që sipas projektligjit të ri, Agjencia, mes tjerash, do të ketë inspektoratin e përbërë prej shërbyesve civilë, të cilët do të ngarkohen me detyrën e inspektimit të subjekteve kontrolluese”, ka shpjeguar me tutje Arifi për Indeksonine.

Ai është shprehur se numri i ankesave është rritje nga viti në vit, mirëpo për shkak të ndryshimeve ligjore që janë në proces e sipër, këtë vit, numri i ankesave ka pësuar rënie.

Se siguria e qytetarëve është lehtë e thyeshme e thotë edhe Mentor Hoxhaj, ish- mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ekspert i sigurisë se informacionit dhe mbrojtës i të dhënave.

Ai për Indeksonline ka thënë se një numër i madh i njerëzve përgjohen, ku përmes këtyre përgjimeve ata shantazhohen apo u keqpërdorën të dhënat.

“Sa i përket përgjimeve në rrjetin e aplikacioneve, këtu mund të flasim për nivelin e sigurisë që e ofrojnë ato apo nuk e ofrojnë. Unë kam ngritë shqetësim për Viber-in, aplikacionin mjaftë të shfrytëzueshëm nga qytetarët e Kosovës. Ky aplikacion ofron nivel të ulët të sigurisë dhe ka qenë i thyeshëm, domethënë lehtë i përgjueshëm, qoftë nga personat fizik apo juridik. Shfrytëzuesit e Viber-it janë viktima të mundshme të keqpërdorimeve të ndryshme apo lojërave të rrejshme që përmes tyre tentohet të mashtrohet qytetari”, është shprehur Hoxhaj.

Kujtojmë që në vitin 2015 numri i ankesave ka qenë mbi 100, ndërsa në vitin 2016 kanë qenë 87 ankesa për keqpërdorim të dhënash personale.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400